“Guerilla Art Festival” Sjell Rekordmenin e Guinness-it në Prishtinë

Në festivalin e grafiteve në Prishtinë po merr pjesë edhe holandezi Matthew May që ka hyrë në Librin e Rekordeve Guinness.

May dhe ekipi i tij u bënë pjesë e Librit të Rekordeve për punimin më të gjatë tredimensional në botë.

Artisti holandez kur flet për KALLXO.com thotë se po i pëlqen shumë Kosova, ndërsa tregon se me vepra të tilla arti merret që nga viti 2001.

Ai shpjegon se çfarë vepre do të punojë në Prishtinë.

“Po tentoj të bëjë një gropë në tokë. Shpresoj që do ta bëj një tjetër dhe nesër, një vajzë e cila është DJ, që do të duket sikur është e ulur në tokë dhe sikur po del nga toka,” thotë ai.

Jehona Ferati, koordinatore e “Guerilla Art Festival” bën me dije se punimi i artistit holandez do të bëhet në Sheshin “Ibrahim Rugova”.

“Përballë Teatrit Kombëtar në Sheshin ‘Ibrahim Rugova’ po ndodh dhe një punim tjetër i cili është me të vërtetë shumë i bukur, një punim i cili është punim 3D me shkumësa i cili po ndodh për herë të parë në vendin tonë nga një artist që vjen nga Holanda, Matthew May,” deklaron Ferati.

Në “Guerilla Art Festival” që po mbahet për herë të parë, po marrin pjesë edhe artistë ballkanikë.

“Është hapja e edicionit të parë. Poshtë po mbahet gara, kemi 10 artistë nga vendet e Ballkanit nga Bullgaria, Maqedona, Kosova,” thotë Agon Xhelili, drejtor i Festivalit.

Grafitet janë duke u punuar në ambient të hapur, nëpër rrugët e Prishtinës, në prani të qytetarëve.

Agon Xhelili tregon çfarë do të bëhet me punimet artistike.

“[Të mërkurën] pritet të përfundojnë të gjitha punimet, [të enjten] do të publikohen tre fituesit dhe dy ditë rresht do të qëndrojnë punimet e ekspozuara për qytetarët. Në fund do t’i dorëzohen Komunës e cila do t’i vendosë në hapësirat publike,” thotë Xhelili.

Pas mbajtjes së festivalit aktivitete do të ketë edhe në nëntor e dhjetor kur do të organizohet ekspozita “Street Art”. Ky festival do ta ndërrojë lokacionin nga viti në vit, në Kosovë dhe jashtë saj.