Hysni Gucati. Foto: Facebook

Gucati Shpreson që Deputetët Nuk i Tërheqin Nënshkrimet për Specialen

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), Hysni Gucati, thotë se ata asnjëherë nuk e kanë pasur mbështetjen e liderëve politikë në Kosovë në përpjekjen e tyre për ta zhbërë Gjykatën Speciale.

“Ne kurrë në jetë nuk e kemi pasur përkrahjen e Presidentit e as të Kryeministrit ose kryetarit të parlamentit. Peticionin e kemi ba na, organizata e veteranëve, pa i pyetë fare”, tha Guci për KALLXO.com një ditë pasi Presidenti Thaçi u tërhoq nga ideja e shfuqizimit të ligjit për këtë gjykatë.

Ai i ka vlerësuar të papranueshme deklaratat e liderëve kosovarë në lidhje me nismës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“Deklaratat e tyre janë të papranueshme, por ne ende shpresojmë në votat e deputetëve, që ata deputetë të mos tërhiqen nga propozimet e tyre”, tha tutje Gucati për KALLXO.com.

Ndërsa për veprimet e ardhshme të OVL UÇK-së, Gucati tha se kjo do të vendoset pas takimit me organizatën.

Ai nuk e përjashtuar mundësinë e protestave, por thotë që nuk mund të tregojë për asnjë veprim, pa u ulur dhe pa diskutuar me kryesinë e OVL-së.

Në konferencën e djeshme, Presidenti Thaçi deklaroi që Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet dhe as nuk do të shfuqizohet.

http://kallxo.com/thaci-gjykata-speciale-nuk-mund-te-shfuqizohet/