Grupi i Qytetarëve Denoncojnë ‘Presionin’ ndaj Deputetëve, PAN e Quan ‘Lobim’

Një grup i përfaqësuesve të shoqërisë civile në Kosovë reaguan sot ndaj asaj që e cilësuan si presion dhe shantazh ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të ndryshuar qëndrimin e tyre politik lidhur me formimin e institucioneve të vendit të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit.

Kosova është zhytur në një krizë institucionale meqë koalicioni PDK-AAK-NISMA që mori më së shumti vota në zgjedhjet e qershorit nuk po arrin ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin në mungesë të votave në Kuvend përderisa dy subjektet tjera Vetëvendosje dhe LDK-AKR po kundërshtojnë propozimin që Kadri Veseli të jetë kryetar i Kuvendit.

“Presionet e çdo lloji cenojnë vullnetin e qytetarëve të dhënë në ditën e zgjedhjeve. Presionet dhe cenimi me metodën e shantazhimit ka elemente të veprës penale; të cenimit të së drejtës së votimit dhe presionit në ushtrimin e detyrës zyrtare:, thuhet në reagimin e një grupi të përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Ata u kanë bërë thirrje deputetëve që mund të jenë subjekte presioni, t’i denoncojnë publikisht edhe në organin e akuzës.

Ndërkohë edhe prokurorisë i kanë bërë thirrje të qëndrojë syhapur ndaj dukurive të cilat rrezikojnë seriozisht tërë procesin kushtetues të ndërtimit të shtetit dhe përfaqësimit të vullnetit të lirë të qytetarëve.

Por atë që shoqëria civile e quajti “presion e shantazh”, deputeti nga koalicioni PDK-AAK-NISMA, Zafir Berisha e quan lobim.

Në një deklaratë për KALLXO.com, Berisha e quajti “demokratike” që koalicioni ku ai bën pjesë po lobon “për t’i bërë numrat për krijimin e institucioneve të reja”.

Berisha tha se pret që se deri në fund të kësaj jave do të realizohet qëllimi i tyre për t’i arritur votat e nevojshme dhe në fillim të javës së ardhshme, sipas tij, do të krijohet qeveria.

“Deri ka fundi i javës do të realizohet qëllimi i numrave dhe në fillim të javës së ardhshme eventualisht do të formohet qeveria e Kosovës”, tha Berisha duke thënë se lobimi për ti krijuar numrat është demokratike.

Deputeti Berisha u shpreh se tentimi i Ramush Haradinaj për ta bërë shumicën parlamentare nuk nënkupton presion dhe është brenda rregullave të lojës edhe demokratike.

“Nuk e di çka nënkuptojnë ata me presion. Kjo fjala shantazh është bërë pallavër mediale çdo ditë. Unë nuk i besoj sepse nuk ka  arsye për mu shantazhu”, tha Berisha.

Kërkesa e Haradinajt për t’i bërë numrat është normale sipas tij.

Qytetarët që kanë reaguar duke përkrahur dhe mbrojtur integritetin e deputetëve që në Kuvend të votojnë sipas vullnetit të tyre të lirë duke respektuar votën e çdo qytetari në zgjedhjet e 11 qershorit janë; Visare Gorani, Florina Duli, Imer Mushkolaj, Luljeta Aliu, Yll Rugova, Seb Bytyci, Krenar Shala, Besnik Pula, Eliza Hoxha, Ilir Bajri, Asdren Rrahmani, Jetlir Buja, Fahri Musliu, Skender Boshnjaku, Ilaz Bylykbashi, Samir Potera.