Grupi i Pavarur Parlamentar Planifikon të Përqendrohet te Politikat e Mirëqenies

Grupi i ri parlamentar në Kuvendin e Kosovës i përbërë nga deputetët që janë larguar nga Lëvizja Vetëvendosje synojnë të përqendrohen te politikat e mirëqenies dhe zhvillimit.

Grupi i deputetëve që u larguan së fundi nga partia opozitare Lëvizja Vetëvendosje dhe formuan grupin e tyre në parlament, janë zotuar të përqendrohen në çështjet sociale që e prekin Kosovën.

“Grupi i deputetëve të pavarur … do të përqendrohet në ndryshimin e dinamikës parlamentare dhe … në trajtimin e çështjeve kryesore shoqërore të Kosovës”, tha për BIRN, kreu i grupit parlamentar, Dardan Sejdiu.

“Parlamenti është vendi ideal për të trajtuar çështje të tilla si papunësia … nevoja për një rrjet të përshtatshëm të sigurisë dhe politikave të mirëqenies dhe adresimin e çështjeve që pengojnë qeverisjen e mirë në Kosovë”, shtoi ai.

Sejdiu tha se grupi do të përqendrohet në çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e njerëzve, siç janë energjia e përballueshme dhe strehimi, kushte më të mira për punëtorët në sektorin publik dhe veçanërisht në sektorin privat.

Ai tha se ata do të punojnë në përmirësimin e ligjeve që promovojnë barazinë gjinore, monitorojnë shpenzimet publike, propozojnë investime publike dhe mbajnë një mjedis të pastër.

“Ne besojmë se përgjegjësia më e madhe e kuvendit është të ndërtojmë një kuadër ligjor që siguron një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë”, tha Sejdiu.

“Kjo mund të arrihet vetëm duke u fokusuar në sektorë të veçantë të jetës ekonomike dhe shoqërore që sigurojnë një ekonomi të shëndoshë për t’u zhvilluar dhe një rishpërndarje më të barabartë të pasurisë”.

Sejdiu tha se si grup i deputetëve të gjithë kanë të njëjtat besime ideologjike progresive, duke formuar “një entitet të ri politik” që është plotësisht e mundur.

Si një grup i ri parlamentar, Sejdiu tha se do të kryesojnë komisionin parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe do të ketë zëvendëskryetarin në komisionin për Zhvillim Ekonomik, dhe do të kenë anëtarë në komisione të tjera.

Një çështje e pazgjidhur mes grupit të ri parlamentar dhe Vetëvendosjes është nëse ka të drejtë për një pjesë proporcionale të buxhetit të ndarë për të gjitha partitë politike në parlament.

“Është e qartë se nuk ka vullnet nga Vetëvendosje për ta trajtuar këtë çështje me vullnet të mirë, kështu që ne do të përpiqemi t’i adresojmë këto çështje përmes mekanizmave institucionalë”, tha Sejdiu.

Megjithatë, grupi i ri ka të njëjtin qëndrim si Vetëvendosja sa i përket kundërshtimit të marrëveshjes së diskutueshme të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Sejdiu tha se marrëveshja “ka defekte të rënda që shkelin integritetin territorial të Kosovës”.

Çarjet në Vetëvendosje u shfaqën në dhjetor, kur një gazetë publikoi mesazhe të dërguara një grupi të deputetëve të Vetëvendosjes, duke zbuluar argumente dhe fyerje të brendshme drejtuar udhëheqësit të saj Albin Kurti nga deputetja Aida Derguti.

Që atëherë, 12 deputetë dhe zyrtarë të tjerë brenda partisë kanë dhënë dorëheqje nga postet drejtuese, duke cituar “dallimet ideologjike”.

Të mërkurën, deputetja Donika Kadaj – Bujupi u largua nga Vetëvendosja dhe u bashkua me partinë e saj të mëparshme, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti gjithashtu kohët e fundit dha dorëheqje nga partia, duke thënë se “mosmarrëveshjet kishin dëmtuar frymën dhe besimin” te Lëvizja.

Vetëvendosja më parë kishte numrin më të madh të vendeve në parlament, 32. Dorëheqjet kanë bërë që tani partia të radhitet e treta.