Gate Mahmutaj

Grupi ‘Lazarati I’ Dënohet me 83 Vjet Burg

Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 83 vjet burg në total një grup prej 10 personash, banorë të fshatit Lazarat të Gjirokastrës, të cilët u gjykuan për kundërshtimin e armatosur të forcave të policisë gjatë operacionit të qershorit 2014 si dhe prodhim dhe shitje lëndësh narkotike.

Dhjetë të pandehurit e dosjes së parë të Lazaratit do të përfitojnë uljen e 1/3 së dënimit, pasi kanë pranuar gjykimin e shkurtuar.

Razip (Gate) Mahmutaj, i akuzuar si kreu i këtij grupi kriminal u dënua me 18 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Arjan Basha, një tjetër i pandehur në këtë proces është dënuar me 17 vjet burg.

Sipas Prokurorisë, Basha dhe Mahmutaj luajtën një rol të rëndësishëm në kundërshtimin e armatosur të policisë, gjatë operacionit masiv në fshatin Lazarat që kulmoi me shkatërrimin e mijëra rrënjëve hashash.

Ndaj tetë të pandehurve të tjerë, Gjykata e Krimeve të Rënda dha masa më të buta dënimi, që variojnë nga 12 deri në 2 vjet burg. Mes të dënuarve është edhe djali i Gate Mahmutajt, Vandami, për të cilin gjykata caktoi një masë dënimi prej 7 vitesh.

Fshati Lazarat i qarkut të Gjirokastrës ishte kthyer prej vitesh në vendburimin më të rëndësishëm të prodhimit të kanabisit në vend, ndërkohë që forcat e policisë ishin pritur me breshëri armësh, sa herë që tentuan të hynin në fshat gjatë dekadës së fundit.

Por situata ndryshoi më 15 qershor 2014, kur dhjetra forca policie morën nën kontroll fshatin pas një operacioni masiv ku morën pjesë rreth 800 forca policie.

Sipas hetimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dhjetë të pandehurit u përpoqën të pengonin policinë të merrte fshatin nën kontroll, duke përdorur si epiqendër të kundërshtimit me armë zjarri magazinën e Razip (Gate) Mahmutajt.

«Pas arrestimit të të pandehurit Razip Mahmutaj në orët e vona të datës 17 qershor 2014 dhe avancimit të forcave të policisë në brendësi të fshatit, u bë e mundur fillimi i kontrollit të rrugëve, parcelave, banesave dhe ambienteve për rreth tyre, » thotë Prokuroria në hetimin e vet.

Gjatë operacionit të qershorit 2014, policia asgjësoi tonelata me bimë narkotike dhe sekuestroi mbi 500 armë zjarri të llojeve të ndryshme në Lazarat.

Paralelisht me këtë dosje, Prokuroria po vazhdon hetimet për një numër të konsiderueshëm personash, të cilët dyshohet se janë implikuar në kultivimin e hashashit dhe kundërshtimin me armë të forcave të policisë. Gjithashtu, hetimet vazhdojnë edhe për vrasjen e oficerit të RENEA-s, Ibrahim Basha gjatë një operacioni të qershorit 2015 në Lazarat.