Nikola Gruevski, Kryeministër i Maqedonisë

Gruevski i Vetmuar në Kërkesën për Zgjedhje të Reja

Social Demokratët në opozitë në Maqedoni, LSDM, të cilët kanë një shumicë në parlament për të formuar një qeveri të re – i kanë përjashtuar zgjedhjet e tjera të përgjithshme si zgjidhje për krizën.

Duke iu përgjigjur thirrjeve të vazhdueshme të liderit të VMRO DPMNE Nikola Gruevski gjatë fundjavës për zgjedhje të reja në maj, atëherë kur bëhen zgjedhjet lokale, LSDM tha se kjo vetëm sa do të lejonte Gruevskin të tejzgjaste krizën.

“Qytetarët maqedonas nuk duan zgjedhje të reja parlamentare. Ata kanë mbështetur tashmë konceptin e një shoqërie për të gjithë [në zgjedhjet e 11 dhjetorit],” tha LSDM.

“Kjo s’ka për të ndodhur! Ne po punojmë për kalim paqësor të pushtetit sa më shpejt të jetë e mundur. Ende shpresojmë që presidenti të na e japë mandatin, sa më shpejt të jetë e mundur për të zgjidhur krizën, por kemi edhe mundësi të tjera të cilat shpresojmë të mos jenë të nevojshme,” tha zëdhënësi i LSDM, Petre Shilegov.

Duke folur në fundjavë për Radio-Televizionin Kroat, kreu i VMRO DPMNE Gruevski ofroi dy zgjidhje.

Njëra është që LSDM ta rrëzojë të ashtuquajturën “platformë shqiptare” – kushtet e vendosura nga partitë shqiptare për t’iu bashkuar një qeverie të re – ndërsa zgjidhja tjetër ishin zgjedhjet e reja.

Gruevski tha se zgjedhjet e reja do të shërbejnë si një referendum pro ose kundër platformës të shtyrë përpara nga partitë etnike shqiptare në vend.

“Qëllimi i kësaj oferte është zgjatja e krizës, sepse për ta thënë troç, Gruevski do të largohet. Edhe nëse shkojmë në zgjedhje të reja, të cilat do t’i fitojmë, po sikur [Presidenti] Ivanov t’ia japë mandatin opozitës?” pyeti Shilegov.

Të mërkurën Ivanov refuzoi t’i jepte një mandat Zaevit dhe LSDM, pavarësisht shumicës në parlament, duke pretenduar se aleanca e tyre me partitë shqiptare dhe pranimi i platformës shqiptare kishte potencialin të shkatërronte vendin.

Zaev më herët kishte pranuar kërkesat e partive etnike shqiptare në platformën e rënë dakord mes tyre.

Zaev, i cili ka mbështetje nga tre parti etnike shqiptare në parlament, më pas e akuzoi Ivanov për grusht shteti.

Maqedonia nuk ka krijuar një qeveri të re për dy muaj e gjysmë, që nga zgjedhjet e 11 dhjetorit ku nuk doli ndonjë fitues i qartë.

Ndërkohë aktorë të tjerë kyç shqiptarë kanë përjashtuar gjithashtu idenë e zgjedhjeve të parakohshme.

Partia kryesore shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, javën e kaluar qëndroi e vendosur për të marrë pjesë në një qeveri të re të udhëhequr nga LSDM, duke thënë se ishte e gatshme të bashkohet me qeverinë e Zaevit, jo vetëm ta mbështeste atë.

“Zgjedhjet e reja nuk janë rrugëzgjidhje për shkak se ato vetëm sa do ta thellojnë krizën. Formimi i një qeverie të re politike që do të ketë mbështetjen e shumicës së qytetarëve është alternativa më e mirë e mundshme,” tha të hënën BDI.

Një tjetër parti shqiptare, Besa, si dhe Aleanca për Shqiptarët, kanë thënë që nga janari se do të bojkotojnë çdo përpjekje për përsëritjen e zgjedhjeve.

Dy partitë, të cilat mbështesin ofertën e Zaevit për të formuar një qeveri të re, thonë se qëndrimet e tyre për këtë çështje nuk kanë ndryshuar.

Tensionet u rritën edhe më tej të hënën e kaluar pasi Zaev i bëri thirrje presidentit Ivanov t’i japë atij një mandat për të formuar qeverinë e re, të cilën presidenti nuk e pranoi.

Përkrahësit e partisë VMRO DPMNE ndërkohë kanë organizuar protesta të përditshme në rrugë kundër qeverisë së Zaev në Shkup dhe në qytete të tjera. Protestat priten të rifillojnë të martën.

Ashtu si VMRO DPMNE, protestuesit thonë se një qeveri koalicioni mes Social Demokratëve të Zaevit dhe partive shqiptare do të rrezikonte sovranitetin e Maqedonisë.

Zaev ka këmbëngulur se protestat ishin organizuar për të lejuar Gruevskin të ruajë pushtetin dhe t’ia mbathë drejtësisë.

Partitë shqiptare kanë mohuar akuzat se duan të shkatërrojnë Maqedoninë, duke thënë se duan të përmirësojnë statusin për gjuhën shqipe dhe t’i japin më shumë të drejta pakicës kombëtare.