Foto-ilustrimi: KALLXO.com

‘Gropa’ dhe ‘Hyrje në Mal pa Sakicë’ në Shëndetësi

Ministri Uran Ismaili dhe deputeti Glauk Konjufca janë përfshirë në një debat rreth vdekjeve të dyshimta në QKUK.

Pasi deputeti Glauk Konjufca foli për gjendjen në shëndetësi, duke u ndalur te vdekjet e dyshimta të tre personave gjatë ndërhyrjeve kirurgjike për shkak të përdorimit të një gazi, reagoi edhe ministri i Shëndetësisë.

Ministri Uran Ismaili tha se vdekjet kanë ndodhur tri ditë para se ta merrte detyrën.

“Konsideroj që rasti është mjaft i rëndë, nuk kemi nevojë për shtrembërim faktesh. Rasti ka ndodhë tri ditë para se unë të jem ministër”, tha ministri Ismaili.

Ai tregoi më pas se asnjëherë nuk ka heshtur për këto vdekje dhe e ka ngritur në të gjitha institucionet përgjegjëse këtë çështje.

“Është gjetë ni gropë e madhe në shëndetësi. Ne jetojmë 10 vjet ma pak se qytetarët tjerë në Europë”, tha ministri Ismaili, duke sugjeruar se [çështjet e shëndetësisë të mos ngrihen vetëm për të goditur ndonjë ish-ministër, ose ministër.

Në replikën e tij pas fjalëve të ministrit, Glauk Konjufcaa përdori një shprehje popullore.

“Për këtë vlen ajo shprehja popullore ka hy në mal pa sakicë, i ka qillu Kadri Veseli shok dhe e ka ba ministër”, tha Konjufca.

Por Ismaili më pas përmendi ndryshimet për të mirë që sipas tij janë bërë në shëndetësi, ndërsa tha për Konjufcën që “shumë shpejt e shpërfaq inatin e shpejtë politik”.

KALLXO.com shkroi për gazin që dyshohet se shkaktoi vdekjet në QKUK.