Gratë Marshojnë Kundër Gjuhës Fyese të Politikanëve

Në ditën e parë të punës së Presidentit amerikan Donald Trump, edhe gratë në Prishtinë i janë bashkuar marshit mbarëbotëror kundër fjalëve fyese që i pari i Amerikës i bëri ndaj grave dhe grupeve të margjinalizuara shoqërore gjatë fushatës zgjedhore.

Gratë në Prishtinë marshin e kanë shfrytëzuar për t’u ngritur kundër dhunës ndaj grave dhe fjalëve fyese me të cilat politikanët kosovarë jorrallë u janë drejtuar atyre,

Marshi i organizuar nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës nisi në Sheshin “Zahir Pajaziti” për të vazhduar deri te ndërtesa e qeverisë në Prishtinë.

Drejtuesja e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës Igballe Rogova tha se deklaratat në Amerikë ndikojnë në tërë botën, ndërsa bëri thirrje që të ndalojë gjuha seksiste që përdoret ndaj grave.

Marshi nisi me moton “Thuaj Mjaft Dhunës Ndaj grave”, ndërsa në të u pa edhe kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari-Lila.

Kusari-Lila në fjalën e saj tha se dyshon që krerët e shtetit do të vetëdijesohen në lidhje me fjalët që nganjëherë përdorin ndaj grave.

“Shumë më tepër gjykohet 30 përqindëshi i grave në Kuvend, sesa 70 përqindëshi i burrave. e njëjta gjuhë përdoret edhe tek gratë ministre dhe secilën grua që ka një zë,” tha Kusari-Lila.

Marshit që po mbahet njëkohësisht në shumë vende të botë, në Kosovë iu bashkuan edhe gra amerikane.

Nicole Farnsworth, anëtare në Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës vlerësoi se solidariteti I Kosovës me gratë është i nevojshëm edhe për vendin e saj, SHBA-të.

“Nuk është një vend në botë që është perfekt, kemi ngacmim seksual edhe në Amerikë, kemi dhunë në familje, kemi gra që nuk mund të punojnë në pozita vendimmarrëse”, tha Farnsworth.

Qytetarë të tjerë të moshave dhe gjinive të ndryshme iu bashkuan këtij marshi në dënim të deklarateve fyese ndaj grave.

Në Kosovë nuk janë të rralla rastet kur gratë u fyen nga politikanët.

Në dhjetor të vitit të kaluar ish-Avokati i Popullit i Kosovës Sami Kurteshi e quajti Ministren e Drejtësisë Dhurata Hoxhën një “lopë” dhe një “hienë që kultivon kurvëri politike”.

Në shkurt të vitit të kaluar Kryeministri Mustafa shkroi në Facebook fjalët “Janë disa gra që i kanë kullotë të gjitha fondet e mundshme nga perëndimi”.

http://kallxo.com/kryeministri-korrigjon-veten/

Në tetor të vitit 2015 Kadri Veseli në Kuvend iu drejtua një deputeti me fjalët “Çka po bërtet si gru e keqe”.

http://kallxo.com/grate-deputete-akuzojne-dhe-mbrojne-kadri-veselin/

Dje KALLXO.com shkroi për marshin mbarëbotëror të grave.

http://kallxo.com/grate-marshojne-ne-prishtine-ne-solidaritet-grate-ne-uashington/