Prodhime bujqësore të grave fermere të ekspozuara në panairin në Ferizaj - Foto: KALLXO.com

Gratë Ekspozojnë Produktet e Bizneseve të Tyre

Gratë janë treguar të zonja në biznesin e agrikulturës.

Ndonëse ditë e diel ato kanë ekspozuar produktet e tyre në një panair të vogël të organizuar në qytetin e Ferizajt.

Panairi është organizuar nga Iniciativa për Komunitetin Kosovar, IKC, me pjesëmarrje të shoqatave të grave nga komunat e vogla.

Fatime Maliqi nga komuna Vitisë, pronare e fermës së dhive, kishte ekspozuar produktin e saj – djathin e dhive.

Ajo theksoi se fermën e ka krijuar vet si dhe produktin e prodhon vet për konsum të cilin e shet në treg me pakicë.

“Jam vetiniciatore për fillimin e këtij biznesi. Kam fermën time. Në bashkëpunim me familjarë prodhojmë djathë të dhisë të cilin e shesim. Është biznes profitabil. Presim rritje në të ardhmen”, tha Fatimja.

Fatimja kujton përkrahjen e donatorëve të huaj por jo edhe përkrahjen e Qeverisë.

Në tri stendat tjera gjendeshin të ekspozuara produktet e shoqatës së grave “Dija” nga komuna e Shtimes me rrethinë.

Naile Sadiku me ndihmën e grave të tjera të shoqatës merren me kultivim e pemëve dhe perimeve të freskëta si dhe atyre të konservuara.

Nailja tani përmes IKC-së ka fituar grante nga një shoqatë gjermane me ç’rast ka blerë makinat e prodhimit.

Ajo ka arritur ta shtojë produktivitetin dhe produktet e saj ka filluar t’i shesë në dyqane me pakicë.

“Produktet që po i shihni të ekspozuara janë punë e shoqatës “Dija”. Tani kemi zgjeruar biznesin me ndihmën e donacioneve gjermane. Kemi blerë makinat për përpunimin e specave të kuq dhe ajvarin tonë e gjeni edhe në supermarkete me pakicë” tha Nailja.

Sikurse Fatimja edhe Nailja përmend faktin se përkrahjen e vetme e kanë nga donacionet e huaja dhe se nuk janë ndihmuar nga Qeveria.

Në panair çmimet e djathit silleshin nga 4 deri në 6 €, përderisa ajvari 800gr kishte një çmim prej 3 €.

Panairi po mbahet në sheshin “Hyrë Emini” të Ferizajt.

Speca turishi të ekspozuar në panairin e vogël në Ferizaj – Foto: KALLXO.com
Djathë i dhisë i një fermereje i ekspozuar në panairin e vogël në Ferizaj – Foto: KALLXO.com
Panairi i prodhimeve bujqësore të grave fermere në Ferizaj – Foto: KALLXO.com