Protesta e grave të Hades | Foto: Atdhe Mulla

Gratë e Hades Protestojnë për Jetën Pranë Qymyrit

Gratë dhe vajzat e Hades së Obiliqit protestuan sot para përfaqësisë së Bankës Botërore në Kosovë duke kërkuar një zhvendosje të dinjitetshme nga fshati i tyre në Shkabaj.

Protesta u organizua së bashku me Forumin për Iniciativa Qytetare (FIQ).

Dajana Berisha nga ky forum tha se pikërisht më 8 mars gratë e Hades duhet të tregojnë se si jetojnë.

“Sot është dita më ideale për gratë e këtij fshati për me protestu, sepse në fund të ditës 8 marsi nuk është vetëm me festu, por kryesore është me i paraqit të drejtat tona dhe kërkesat tona para qeverisë dhe Bankës Botërore të cilat kanë qenë për vite me radhë këshillues politik në rajon dhe Kosovë në mënyrë të veçantë”, tha Berisha.

Vlora Graiçevci, banore e fshatit Hade, tregoi pse sot po protestohet.

“Sot kemi dalë të protestojmë dhe të mbrojmë të drejtën e grave të fshatit Hade. Jemi duke jetuar një jetë shumë të keqe. Këto ditë kemi qenë shumë të shqetësuar. Që 13 vjet me radhë jetojmë pa rrymë, pa ujë, pa rrugë, pa shkollë, pa transport, pa të gjitha. Këto ditët e fundit kanë ardhur dhe po n rrënojnë shtëpitë tona. Jemi të shqetësuar Themelet e Shtëpive na i kanë rrënu, tani po na thonë se do të vinë të na rrëzojnë edhe shtëpitë”, tha Graiçevci.

Grajçevci tregoi se cilat janë kërkesat e protestueseve.

“Kërkesat tona janë dy-ose të na lënë të qetë në fshatin tonë, në tokat tona ose le të na zhvendosin. Mos të na traumatizojnë fëmijët duke ardhur me polici e duke na rrëzuar shtëpitë”, shtoi ajo.

Fatime Graiçevci, një banore tjetër e Hades, kërkoi punësim të atyre që jetojnë në këtë fshat.

“Kërkesat tona janë punësimet në fshatin Hade pasi që shumë banorë të Hades kanë shkollë të kryer dhe nuk janë në punë. Rrugë s’ka, shkollë s’ka, absolut asgjë nuk ka”, tha Fatime Graiçevci.

Ajo deklaroi se më nuk ka jetë në Hade, duke kërkuar zhvendosjen e banorëve që kanë mbetur aty.

Po ashtu gratë e Hades kërkuan që të takohen me drejtorin e Bankës Botërore, por takimi me të ishte i pamundur pasi sipas sigurimit drejtori nuk ishte në punë.

KALLXO.com shkroi të hënën për rrënimin e themeleve të shtëpive në Hade.

http://kallxo.com/rrenohen-themele-te-shtepive-ne-hade-revoltohen-banoret/

Shkrimet e KALLXO.com për jetën e vështirë në këtë fshat për shkak mihjeve sipërfaqësore të qymyrit mund t’i lexoni këtu.