Kuvendi Komunal i Gjilanit - Foto: Facebook

Gratë e Gjilanit Kërkojnë Aleancë me Mediat

Komiteti për Barazi Gjinore në Gjilan ka diskutuar për perspektivën gjinore në media, duke kërkuar nga mjetet e informimit që të jenë aleatë më të fuqishëm të grave, jo vetëm në politikë dhe vendimmarrje, por edhe në biznes dhe lëmenj të tjerë ku gruaja është e suksesshme.

“Për fat të keq, burrat dominojnë ende jo vetëm në politikëbërje, në vendimmarrje, në kulturë, sport e gjetiu, por edhe në media. Hulumtimet kanë treguar se mediat që drejtohen nga gratë u kanë dhënë më shumë hapësirë grave”, ka thënë Gjylshen Berisha, kryesuese e Komitetit për Barazi Gjinore.

Komuna e Gjilanit e ka tejkaluar kuotën e përfaqësimit të grave. 38 për qind e Kuvendit Komunal janë gra. Ose, e përkthyer në numra, nga 35 asamblistët, 13 janë të gjinisë femërore.

“Sipas një analize të shoqërisë civile, gratë kuvendare janë treguar mjaft aktive, por kanë qenë më pak aktive se meshkujt”, ka theksuar Berisha.

Ndërkaq në pushtetin ekzekutiv, gratë nuk janë të përfaqësuara sa duhet,  ka thënë ajo.

“Do të donim të kishte më shumë barazi edhe këtu”, ka shtuar Gjylshen Berisha.

Ajo ka inkurajuar gratë që të jenë më aktive dhe të bëhen pjesë e debatit, aty ku marrin pjesë, sepse nuk mjafton vetëm pjesëmarrja fizike.

Ndërkaq, sa i përket emërtimeve të rrugëve, shesheve dhe bulevardeve, Komisioni ka përfunduar punën e tij dhe është shprehur i kënaqur me respektimin e kriterit gjinor, duke nënvizuar se 120 rrugë, sheshe e bulevarde do të mbajnë emra femrash.