Gjykimi i Granit Paçarizit | Foto: KALLXO.com

Granit Paçarizi Mohon se Gjuajti me Armë në Përleshjen ‘Te Jupa’

Granit Paçarizi tha në gjykatë se ishte duke qëndruar me nipin e tij Xhevat Mulakun dhe pronarin e ëmbëltores “Te Jupa” në një tavolinë të këtij lokali, kur u sulmua nga Egzon Krasniqi.

Paçarizi deklaroi se ishte duke postuar diçka në rrjete sociale, kur nisi sulmi ndaj tij.

Papritmas derisa isha duke u marrë me një postim në rrjetet sociale  në telefon për një moment kam dëgju njërin që thotë  ‘ Ruju shok … ‘ dhe në atë moment jam sulmuar duke marrë goditjen e parë në shpatullën e majtë dhe gjatë tentimit për të hyrë brenda pastiqerisë  jam goditur përsëri në kokë nga Egzon Krasniqi”, tha i akuzuari Paçarizi.

Sulmi ndaj Paçarizit dhe më pas përleshja në Lokalin “Te Jupa” gjatë së cilës më pas u përdorën edhe armë zjarri, ndodhi më 6 korrik 2013 në Prizren.

Paçarizi tregoi se përleshja që nisi jashtë këtij lokali, u bart brenda tij, ndërsa tha se nuk e dinte saktësisht a u godit në kokë nga Egzon Krasniqi me shkop bejsbolli, apo me bisht të sëpatës.

“Gjatë tërheqjes brenda në pastiqerinë “ Jupa “ unë kur kam marrë goditjen e dytë në kokë nga Egzon Krasniqi kam qenë saktësisht në vendin ku ka qenë I vendosur banaku përkatësisht në vendin ku qëndrojnë punëtorët e pastiqerisë pra brenda banakut , kurse Egzoni më ka sulmuar nga ana e kundërt e banakut”, tha Paçarizi.

Ai mohoi se kishte shtënë drejt sulmuesit të tij, pasi tha se goditja e kishte sjellë në gjendje shoku.

Paçarizi tha se drejt sulmuesve kishte shtënë nipi i tij Xhevat Mulaku, me të cilin para sulmit ndodhej në një tavolinë.

“Fillimisht Xhevati ka shtënë nga brenda dhe atë pasi që unë kam marrë goditjen në kokë pra goditjen e dytë.  Gjatë ikjes nga dera e dytë e lokalit duke shkuar në drejtim të rrugicës së quajtur ‘Tregu I Ri’“ pasi që të njëjtit vazhdonin të na sulmonin nga mbrapa kam pa dhe dëgju që Xhevati ka shkrepë edhe 2 krisma të tjera , ku personat që na sulmonin  kishin distancën diku 1.5 deri 2 metra”, tha Paçarizi.

Paçarizi deklaroi më tutje se në seancat e para të këtij gjykimi Xhevat Mulaku akuzohej për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Paçarizi tha se atëherë ngarkohej vetëm për armëmbajtje pa leje.

Më pas, sipas Paçarizit, prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale për vrasje në tentativë ndaj Mulakut, edhe pse Mulaku në seancën e pesë qershorit të këtij viti e kishte pranuar se kishte shtënë me armë në ditën kritike.

“ Kanë ardhur Hamit Alemdar , Egzon Krasniqi , Ardian Shala dhe Aret Bytyqi dhe posa kanë zbritur nga vetura kanë fillu të sulmojnë Granitin dhe gjatë kohës kur kemi tentu të hyjmë brenda në lokal para se të godiste Egzoni me bisht të sëpatës Granitin , kam nxjerrë revolen duke gjuajtur 2 herë në tokë në pragun e derës “, kishte deklaruar Mulaku.

Paçarizi në gjykatë tha se ka identifikuar pikërisht këta katër persona si sulmues të tij dhe një makinë të markës “Ford” me ngjyrë të zezë, e cila sipas tij ishte parkuar dy metra larg vendit ku ai ishte duke pirë kafe.

Sulmi ndaj Paçarizit ndodhi pas një incidenti që një ditë më parë e kishin Xhevat Mulaku dhe Ideal Paçarizi me Egzon Krasniqin në Festivalin “Ngom Fest” në Prizren.

Granit Paçarizi tregoi se kishte shkuar me revole në këtë festival, pasi i kishin treguar se Ideal Paçarizi, djali i xhaxhait të tij është sulmuar.

Paçarizi tregoi se e qëlloi me grusht në fytyrë Egzon Krasniqin kur shkoi në “Ngom Fest”.

“Në atë grup ishin rreth 5-16 veta duke pirë së bashku në tavolinë , u afrova dhe pyta se cili nga ju e ka sulmuar djalin e axhes tim Idealin,  Egzoni mu përgjigj se unë e kam sulmuar bile më tha se asgjë nuk është kjo se qka I bëj herën tjetër , aty pa bërë asnjë fjalë më shumë unë godita Egzonin me boks në fytyrë ku më pas kanë ndërhy të tjerët për të na nda”, tha Paçarizi.

Seanca e radhës do të zhvillohet më 12 korrik kur pritet të jepet fjala përfundimtare.

KALLXO.com e ka ndjekur vazhdimisht këtë gjykim. Shkrimet për të mund t’i lexoni këtu.