Grabovci do të Pyetet për SMS-të

Adem Grabovci do të dëshmojë sot në gjykimin e Fatmitr Limajt dhe të tjerëve për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre në rastin MTPT.

Ai në fillim u betua se do ta thotë të vërtetën.

Para se Grabovci të vinte për ta dhënë dëshminë, prokurori Charles Hardaway, tha se prokuroria gjatë marrjes në pyetje të tij do të fokusohet në disa sms.

“Në lidhje me dokumentet të cilat prokuroria ka për qëllim që t’i përdorë gjatë marrjes në pyetje të këtij dëshmitari, posaçërisht me SMS, përveç atyre që janë paraqitur në regjistratorët pas ngritjes së aktakuzës”, tha prokurori i rastit Hardaëay.

Kësaj iu kundërpërgjigj përfaqësuesi i të akuzuarit Limajt, avokati anglez Kharim Khan, i cili tha se për këtë dokumentacion prokuroria nuk e ka informuar as gjykatën e as mbrojtjen.

“Ne nuk kemi ditur asgjë për këto dokumente që prokuroria dëshiron të mbështetet deri më sot. Për këtë arsye prokurorit duhet t’i mohohet e drejta që të mbështetet në to”, tha Khan.

Por trupi gjykues mori aktvendim që Adem Grabovci ta japë dëshminë e tij , pasi që zyra e prokurorisë nuk është e obliguar që t’i zbulojë dokumentet të cilat do t’i përdorë para se të marrë në pyetje dëshmitarin.

Në procesin e njëjtë me Limajn për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre nga Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Suka.

Akuza ndaj Limajt lidhet me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në komunën e Gjilanit.

Limaj këtë aktakuzë, që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2, më 30 tetor të vitit 2015 e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për gjykimin e Limajt ndërsa raportimet mund t’i gjeni në këtë link.