Grabovci Rrëfen për Këmbimin e Asfaltit me Anëtarësim në PDK

Në gjykimin e Fatmir Limajt dhe të tjerëve, të cilët po gjykohen për krim të organizuar dhe keqpërdorim të detyrës, ka dëshmuar deputeti Adem Grabovci.

Grabovci është dëshmitar i Prokurorisë.

Gjatë seancës së sotme, Grabovci u pyet lidhur me SMS-të që ia kishin dërguar persona të ndryshëm lidhur me shtrimin e disa rrugëve.

SMS-të në fjalë Grabovci i ka pranuar gjatë kohës kur ka qenë zëvendësministër i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, që udhëhiqej nga i akuzuari Fatmir Limaj.

I pyetur nga prokurori Charles Hardaway nëse e ka shfrytëzuar postin e tij në Ministri për përfitime politike për PDK-në, Grabovci u përgjigj me “Jo”.

Më pas, prokurori e ballafaqoi dëshmitarin me disa SMS që atij i ishin dërguar më 10 nëntor 2008.

“Një katun po e kthej në PDK për 600 metra asfalt. Mendo e përgjigju. Rexha”, lexoi prokurori njërin prej SMS-ve.

Kur u pyet se a e njeh ndokënd me emrin Rexha, Grabovci deklaroi se i njeh rreth 50 veta me këtë emër.

http://kallxo.com/grabovci-nuk-kam-cka-te-fsheh-nga-gazetaret/

Prokurori Hardaway lexoi edhe një SMS, përmes të cilit pretendonte të dëshmonte se rrugë janë shtruar në këmbim të anëtarësimit në PDK.

“Zoti zëvendës ministër janë antarësu në PDK një familje 10 anëtarëshe nga Kosharja, jetojnë në Pejë. Garanton se 45 familje do të anëtarësohen nëse ju shtron një rrugë 5 kilometërshe. Beq? Zenuni”, lexoi prokurori përmbajtjen e mesazhit telefonik.

Lidhur me këtë, Grabovci tha se nuk mban përgjegjësi për mesazhet që i kanë shkuar dhe se nuk i bëjnë përshtypje.

E kur iu lexua SMS-i fundit, në të cilin shkruante: “Ne e kemi premtu rrugën për Maznik, tregoj atij shefit”, Grabovci tha se nuk e di se nga kush i ka ardhur e lëre më ta kuptojë përmbajtjen e tij.

Adem Grabovci e vazhdon dëshminë e tij edhe në ditët e ardhshme.

Në procesin ku po dëshmon Grabovci, Fatmir Limaj akuzohet për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre.

Në procesin e njëjtë me Limajn dhe për akuza të njëjta me të, nga Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Suka.

Akuza ndaj Limajt lidhet me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në komunën e Gjilanit.

Limaj këtë aktakuzë, që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2, më 30 tetor të vitit 2015 e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për gjykimin e Limajt ndërsa raportimet mund t’i gjeni në këtë link.

Redaktoi: Naser Sertolli