Foto: Ilustrim

Grabiten 5,000 Euro në një Market në Ferizaj

Policia e Ferizajt ka njoftuar se gjatë orëve të hershme të mëngjesit të sotëm është grabitur marketi “Plus” në Ferizaj, ndërsa të dyshuarit sipas Policisë pasi kanë kryer veprën janë larguar nga vendi i ngjarjes.

“Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, bashkë me Krim-teknikën Rajonale, i janë përgjigjur rastit dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është konstatuar se në marketin e lartëshënuar ka ndodhur një vjedhje grabitqare”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Nga hetimet e para nga vendi i ngjarjes kuptohet se është thyer një derë ndihmëse e dyqanit nga ku është marrë një kasafortë metalike.

Sipas pronarit të marketit, në kasafortë ka pasur rreth 5,000 euro.

Grabitësit e dyshuar, të cilët ishin të maskuar, e kanë sulmuar rojën e marketit duke e goditur me mjete të forta në kokë dhe i kanë shkaktuar lëndime, për shkak të të cilave ai po trajtohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj.

“Sipas rojës së marketit, në këtë grabitje, janë përfshirë së paku 5 persona të dyshuar, të cilët pas veprës së kryer janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, thuhet më tutje në njoftim.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, përkatësisht Njësia e Hetimeve Rajonale, i ka marrë të gjitha veprimet e duhura për zbardhjen e këtij rasti dhe kapjen e të dyshuarve.