Goli më i Bukur

Krenar me anëtarësimin e Kosovës në familjen evropiane të futbollit në UEFA, janë ndier kryeministri Isa Mustafa, presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ish Presidentja Atifete Jahjaga dhe personalitete tjera.

Kryeministri Mustafa, përmes rrjetit social Facebook, tha se Kosova po përjeton një periudhë të sukseseve të jashtëzakonshme. Ai pret që pas anëtarësimit në UEFA Kosova të anëtarësohet shumë shpejtë edhe në FIFA.

“Ndihem shumë i lumtur dhe krenar që shteti ynë sapo arriti edhe një sukses kulminant historik.  Futbolli kosovar nga sot është anëtar i familjes evropiane të futbollit, UEFA-s. Shumë shpejt edhe i FIFA-s. Kosova po përjeton një periudhë të sukseseve të jashtëzakonshme”, ka shkruar Mustafa.

Sipas tij, rezultatet kulminante, janë produkt i përkushtimit të tyre dhe përkrahjes së miqve ndërkombëtar.

Presidenti, Hashim Thaçi, ka shkruar se “Kosova në UEFA”, është lajmi më i mirë i mundshëm për tifozët e panumërt në Republikën tonë.

“Tash e tutje do të luajmë në kampionate ndërkombëtare – disa lojë do t’i fitojmë, disa do t’i humbim, por kurrë më s’do të na ndalin nga fusha e gjelbër. Urime Fadil Vokrrit dhe federatës, urime lojtarëve të kombëtares sonë, urime të gjithë qytetarëve”, ka uruar Thaçi në Facebook.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli është shprehur se dita e shumëpritur e daljes së futbollit tonë nga izolimi i padrejtë dhe i tejzgjatur, më në fund erdhi.

“Urime të gjithëve për këtë fitore të madhe për Kosovën! Tanimë jemi anëtarë me të drejta të plota në UEFA dhe futbollistët tanë mund të shpalosin talentin e tyre nëpër stadiumet më prestigjioze ndërkombëtare”, ka shkruar Veseli, në Facebook.

Edhe ish presidentja Atifete Jahjaga, u kujdes që të shkruaj për anëtarësimin e Kosovës në UEFA.

“Kosova sot shënoi golin më të bukur në historinë e saj të futbollit, anëtarësimin në UEFA. Ky hap është kurorëzim i shumë përpjekjeve diplomatike dhe një të drejte të pamohueshme për sportistët, që sot janë bërë ambasadorët më të zëshëm të vendit tonë, të cilët po na bashkojnë të gjithëve me krenari rreth flamurit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ish presidentja Jahjaga.

Ajo ka shkruar se sot më shumë se kurrë, përkujtojnë sakrificën e gjeneratave të kaluara, të cilat luajtën nëpër fusha të improvizuara me kushte minimale, me baltë, duke ëndërruar që golat e tyre një ditë do të tejkalonin kufijtë.

“Sot kjo ëndërr u bë realitet. U mbetet sportistëve të rinj të vazhdojnë të na bëjnë kampionë dhe të jenë krenarë që përfaqësojnë një shtet, qytetarët e të cilit me zemër do t’i mbështesin në secilin hap dhe në secilin gol drejt triumfit”, ka shkruar ajo.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, në urimin e tij u fokusua në mesazhin që bart futbolli.

“Sporti duhet t’i bashkojë njerëzit – dhe Kosova ka të drejtën e saj të pjesëmarrjes. Fitorja e Premier Ligës së Leicester City-it dhe pranimi i Kosovës në UEFA, mua më rikujtojnë pse e dua futbollin. Një javë e madhe për sportin”, tha O’Connell në komentin e tij në Facebook.

Ndërsa ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, ka qenë i thjeshtë në komentin e tij.

“Goaaaaallll”, ka qenë komenti i tij në Twitter.

delawie uefa