Goditet Këmbësori në Hyrje të Prishtinës (Foto)

Një këmbësor është goditur nga një makinë në hyrje të Prishtinës nga drejtimi i Fushë-Kosovës.

Në fotografitë e dërguara në KALLXO.com nga një qytetar shihet i godituri nga makina i shtrirë në cep të rrugës, ndërsa disa qytetarë shihen afër tij duke u munduar t’i ndihmojnë.

Në vendin e ngjarjes shihet edhe një makinë e policisë.

Lajmin për aksidentin e konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti- Haziraj.

“Po rreth orës 12:00, ka ndodhur një aksident në afërsi të shkollës ekonomike. Të përfshirë në aksident janë një veturë dhe një këmbësor. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes. Këmbësori është dërguar për tretman mjekësor”, tha Ahmeti.

Ajo shtoi se policia është duke hetuar rastin.

Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha për KALLXO.com ka thënë se Policia e Kosovës në vazhdimësi ka apeluar dhe fuqishëm vazhdon të apelojë te të gjithë, në veçanti te drejtuesit e automjeteve që të jenë të kujdesshëm dhe sa më vigjilentë gjatë drejtimit të automjeteve të tyre.

Sipas Hoxhës, kujdesi duhet të jetë i shtuar posaçërisht në këtë periudhë kur kanë filluar ndryshimet atmosferike: reshjet, mjegullat, ku gjatë natës dhe në orët e mëngjesit kemi kufizim të dukshmërisë dhe paraqitje të ngricave të cilat mund të vështirësojnë qarkullimin nëpër rrugë.

Sot KALLXO.com shkroi për një aksident mefatalitet në rrugën Drenas-Skenderaj.

http://kallxo.com/aksident-fatalitet-ne-rrugen-drenas-skenderaj/