Komuna e Istogut | Foto: KALLXO.com

Godet Këmbësorin me Makinë dhe Ik

Në mëngjesin e sotëm një person është lënduar pasi u godit nga një makinë, shoferi i së cilës iku nga vendi i aksidentit duke mos i dhënë ndihmë të lënduarit.

Shefi i Emergjencës në Spitalin Rajonal të Pejës Besnik Ibraj tha për KALLXO.com se i lënduari në aksident ndodhet në gjendje të rëndë.

“Këmbësori është pranuar në Emergjencë pa vetëdije dhe ka pasur gjakderdhje të madhe. I i njëjti është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë”, tha Ibraj.

Lajmin për aksidentin e bëri të ditur edhe policia në Pejë më anë të një komunikate.

“Automjeti i tipit ‘Golf V’ me targa regjistrimi të Kosovë, i cili ka qarkulluar nga drejtimi i Istogut në drejtim të Pejës, me të arritur në fshatin Cerralluk e ka goditur këmbësorin të cilin e ka hedhur jashtë rruge, me ç’rast i ka shkaktuar lendime të rënda trupore, sipas vlerësimit të ekipit mjekësor”, thuhet në komunikatën e policisë për aksidentin.

Sipas policisë, shoferi i makinës është arratisur, ndërsa ai po kërkohet nga policët.

Edhe policia tregon se i lënduari u dërgua për trajtim në Prishtinë.

“Këmbësori viktimë në këtë aksident është shtetasi shqiptar i Kosovës, M. S. (1969) nga fsh.Cerralluk – Istog, i cili për shkak të lëndimeve të rënda trupore nga Spitali Rajonal i Pejës dërgohet në QKUK Prishtinë”, sqaron policia.

Edhe në janar, KALLXO.com shkroi për një aksident në Prishtinë, pas të cilit po ashtu shoferi u arratis.

http://kallxo.com/godet-kembesorin-dhe-ik-nga-vendi-ngjarjes/