Ilustrimi: Kallxo.com

Gjysma e pozitës e gjysma e opozitës i shkojnë LDK-së në ‘konak’

Ish- Kryeministri Isa Mustafa që gjatë kohës sa ishte kryeministër nuk i merrte për bazë kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohshme, nesër i ka ftuar të gjitha partitë politike për të diskutuar për temat aktuale në vend dhe caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme.  Vetëvendosja, AAK dhe Nisma e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, PDK do të vendosë nesër, ndërsa Grupi i Deputetëve të Pavarur nuk ishin të qasshëm për të marrë qëndrimin e tyre.

Pas disa muajve në pushim për shkak të gjendjes shëndetësore dhe jashtë aktualiteteve politike, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është rikthyer në aktivitet politik duke tentuar t’i mbledhë përfaqësuesit e të gjithë partive politike në vend, siç ka thënë ai në letrën e tij, për të caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme.

Takimi është ftuar për nesër në orën 13:00 në objektin e Kuvendit të Kosovës.

Kësaj ftese të Mustafës disa subjekte politike i janë përgjigjur, e disa tjera ende s’kanë vendosur.

Dy prej partnerëve të koalicionit e kanë konfirmuar për KALLXO.com se do të marrin pjesë në takimin e nesërm, ndërsa PDK e ka lënë që për këtë të vendosë gjatë ditës së nesërme.

Në një prononcim të shkurtër për KALLXO.com, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi e ka konfirmuar pjesëmarrjen.

“E kemi pranuar ftesën dhe do të marrim pjesë në tryezë”, tha Isufi për KALLXO.com.

E pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi.

“Në parim, Nisma Socialdemokrate konsideron se takimet mes partive politike janë të mirëpritura dhe nisur nga kjo Nisma do të marrë pjesë në të gjitha takimet e ftuara nga partitë politike”, tha Sherifi për KALLXO.com.

Ai nuk tregoi se çka do presë nga ky takim, mirëpo thotë që është mirë që partitë politike takohen, ani pse mund të mos pajtohen.

“Nga takimet mes partive askush nuk humb, pa marrë parasysh se a do të pajtohemi apo jo për çështjet të cilat do të diskutohen në ato takime. Më mirë është të takohemi dhe të mos pajtohemi për temat që i besojmë, sesa të mos takohemi fare”, tha tutje Sherifi.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi i tha KALLXO.com se PDK-ja nesër do ta bëjë publik qëndrimin e saj.

Në anën tjetër, edhe të paktën një pjesë e opozitës do të marrë pjesë.

Lëvizja Vetëvendosje e ka konfirmuar për KALLXO.com se shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufca, do të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga LDK-ja.

KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje edhe shefi i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Dardan Sejdiu, por ai nuk u është përgjigjur kërkesave tona.

KALLXO.com raportoi dje për ftesën e LDK-së për partitë politike në vend dhe kërkesën për zgjedhje të reja.