Azem Syla. Foto: Atdhe Mulla

Gjyqtari i Speciales në Gjykimin e Azem Sylës

Gjyqtari i EULEX-it dhe njëkohësisht gjyqtari i emëruar i Gjykatës Speciale, Vladimir Mikula, pritet të emërohet në trupi gjykues që do ta gjykojë rastin ku i akuzuar është ish deputeti i PDK-së, Azem Syla.

KALLXO.com dje ekskluzivisht raportoi se EULEX ka tërhequr kërkesën që kishte parashtruar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës që gjyqtarja Nora Bllaca të ishte në trupin gjykues që do ta gjykojë rastin e Azem Sylës.

KALLXO.com mëson se deri te kjo lëvizje e EULEX ka ardhur pasi që gjyqtari që aktualisht është edhe në trupin gjykues të EULEX-it që gjykon Naser Kelmendin, është caktuar pjesë e trupit gjykues edhe në rastin e Azem Sylës dhe 21 të tjerëve në rastin e njohur si “Tokat”.

Krejt kjo është bërë pasi që edhe Mikula por edhe Nora Bllaca kishin qenë pjesë e panelit të gjyqtarëve gjatë seancave të mundësisë së veçantë hetuese ku janë dëgjuar dy dëshmitarë të mbrojtur.

Kodi i Procedurës Penale të Kosovës obligon që të paktën njëri nga anëtarët e panelit të gjyqtarëve  të mundësisë së veçantë hetuese të jenë pjesë e trupit gjykues pas ngritjes së aktakuzës.

Tërheqja e kërkesës lidhur me gjyqtaren Nora Bllaca rrezikonte që të gjitha seancat ku ishin dëgjuar dëshmitarët e mbrojtur të përsëriteshin, ndërsa për të shmangur këtë EULEX si duket ka caktuar gjyqtarin Mikula.

Por edhe caktimi i gjyqtarit Mikula nuk ofron zgjidhje të qëndrueshme lidhur me këtë rast pasi që në rast se Mikula tashmë në listën e gjyqtarëve të emëruar fillon punën në Gjykatën Speciale, atëherë përsëri do të paraqitej problemi i njëjtë me trupin gjykues.

Avokati i Azem Sylës, Besnik Berisha, tha për KALLXO.com se përsëritja e dëgjimit të dëshmitarëve do të ishte në interes drejtësisë, megjithatë nuk beson që kjo do të ndodhë.

“Në rastin konkret nuk besoj që do të kemi përsëritje të dëshmive të dëshmitarëve të dëgjuar me rastin e hetuesisë se veçantë, ani pse kjo do të ishte në interes të drejtësisë sepse duket që EULEX ka vendosur në panel gjyqtarin Vladimir Mikula i cili aktualisht është në panel në rastin Kelmendi”, tha Berisha.

Berisha këtë përshtypje të tij e bazon në faktin se dy seanca që ishin caktuar të mbahen në seancat e njëjta me rastin Kelmendi janë anuluar.

Kjo zgjidhje eventuale e EULEX nuk e bind avokatin Berisha i cili thotë se procesi rrezikon të përsëritet në një fazë tjetër.

“Procesi rrezikon të përsëritet në një fazë ngase gjyqtari Mikula është në listën e gjyqtarëve për Dhomat e Specializuara, përveç nëse ka hequr dorë tashmë nga një pozitë e tillë”, tha Berisha.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në EULEX, por nuk ka pranuar ende përgjigje lidhur me gjyqtarin Mikula.

Krejt kjo situatë e bën Berishën të mendojë se rasti i të mbrojturit të tij mund të përshpejtohet për të kompensuar kohën e humbur.

“Personalisht frikësohem se EULEX do të mundohet maksimalisht të përshpejtojë me këtë gjykim për të kompensuar kohën e humbur me fajin e tyre, por një gjë e tillë do të cenojë skajshmërisht të drejtat e të akuzuarve për një proces të drejtë dhe të ligjshëm”, tha Berisha.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me procesin ndaj Azem Sylës ndërsa raportimet mund t’i gjeni në këtë link.