Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Gjyqtari Mungon në Gjykimin për Rrahjen ‘Te Nazi’

Gjykimi i pesë personave që u rrahën para gati katër vjetësh në Lokalin “Te Nazi” në fshatin Slivovë të Komunës së Prishtinës u shty në shtator, pasi mungoi kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra.

Kalludra në të njëjtën kohë kur duhej të niste gjykimi për këtë rrahje, ndodhej në një gjykim tjetër me të paraburgosur.

Zakonisht, gjykimet ku ka persona të paraburgosur kanë përparësi në raport me gjykimet tjera, në mënyrë që të kryhen më shpejt dhe pa zvarritje.

Rrahja në Lokalin “Te Nazi” kishte nisur për shkak të ndërprerjes së muzikës në fund të orarit të punës.

Sipas aktakuzës, Durim Veliu, Florim Veliu, Ilaz Syla në grup me të akuzuarin tjetër Burim Veliu në shtator të vitit 2013 në Fshatin Slivovë të Komunës së Prishtinës në Lokalin “Te Nazi” kishin sulmuar të akuzuarin tjetër Afrim Selmanin dhe Naim Ejupin e Armen Zeqirin që në këtë lokal po rrinin bashkë me Selmanin.

Naim Ejupi e Armen Zeqiri janë të dëmtuarit e këtij procesi.

Në aktakuzë thuhet se sulmi ndaj Selmanit, Ejupit e Zeqirit ndodhi pasi u ndal muzika në lokal.

“Pas përfundimit të muzikës i akuzuari Afrim Selmani kishte kërkuar që të këndohej edhe një këngë, por pronari i kafenesë kishte refuzuar.  Pastaj Afrimi kishte thyer një shishe të birrës, ku më pas të akuzuarit e lartcekur Durim Veliu, Florim Veliu dhe Ilaz Syla në grup me të akuzuarin tjetër Burim Veliu i cili gjendet në arrati, e kanë sulmuar fizikisht Afrim Selmanin dhe të dëmtuarit Naim Ejupin dhe Armen Zeqirin”, thuhet në aktakuzë.

Në aktakuzë tregohet se përveç shkaktimit të lëndimeve trupore ndaj të  akuzuarit dhe dy të dëmtuarve, grupi i sulmuesve kishte arritur t’ia marrë një revole të akuzuarit tjetër Afrim Selmani.

Nën kërcënimin e kësaj revoleje, sulmuesit i kishin lidhur me kabllo teli Afrim Selmanin, Naim Ejupin e Armen Zeqirin, duke i mbajtur të lidhur 30 minuta.

“I akuzuari Burim Veliu ia kishte marrë revolen me 6 fishekë të cilën e kishte pas në çantë Afrim Selmani gjithashtu i akuzuar, ashtu që Burim Veliu nën kërcënim e revoles e në grup me Durim Veliun, Florim Veliun e Ilaz Sylën i kanë mbajtur të lidhur të akuzuarin Afrim Selmanin se bashku me të dëmtuarit Naim Ejupin dhe Armen Zeqirin”, thuhet më tutje në aktakuzë.

Burim Veliu kishte ikur pastaj nga lokali, duke e lënë revolen në një tavolinë. Këtë revole më pas e kishte konfiskuar policia.

Veliu akuzohet për përdorim të armës, apo mjetit të rrezikshëm.

Ai bashkë me Durim Veliun, Florim Veliun e Ilaz Sylën akuzohen edhe për privim të kundërligjshëm të lirisë, për shkak se i lidhën me tel dhe i mbajtën gjysmë ore të lidhur Afrim Selmanin, Naim Ejupin e Armen Zeqirin.

Afrim Selmani akuzohet për mbajtje të paautorizuar dhe në kundërshtim me ligjin të revoles së kalibrit 7.65 milimetra me 6 fishekë dhe një karikator.

Të akuzuarit Durim Veliu, Florim Veliu, Ilaz Syla dhe Burim Veliu po akuzohet gjithashtu që kanë kryer edhe veprën penale, lëndim i lehtë trupor pasi i kanë sulmuar me grushte dhe shqelma Afrim Selmanin, Naim Ejupin e Armen Zeqirin, ndërsa u kanë shkaktuar lëndime edhe gjatë lidhjes me kabllo.

KALLXO.com shkroi edhe më herët për këtë proces gjyqësor.