Enver Peci. Foto: Kallxo.com

Gjyqtarët që Nuk u Bëjnë Ballë Presioneve 'le të Largohen nga Sistemi'

Ata gjyqtarë të cilët nuk mund t`i bëjnë ballë presioneve, apo vështirësive me të cilat ballafaqohen, mund të largohen nga sistemi. Kështu ka thënë Enver Peci, Kryetar i Gjykatë Supreme, për emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Ai ka thënë se rastet që janë duke pranuar nga EULEX-i janë të profilit të lartë dhe nuk janë të lehta, mirëpo është koha e fundit për të dëshmuar se jemi shtet.

“Ne jemi duke i pranuar rastet që i ka patur EULEX-i. A mundemi, a s`mundemi, s`ka a mundemi a s`mundemi duhet me i pranuar, se po themi vetit shtet. Edhe ka ardhur momenti i fundit që ne duhet me i krye lëndët. Kush e ndien veten që s`mundet me i përballuar, e ndien vetën të quaj ashtu të rrezikuar mos të rri në sistem, ky është momenti i fundit. Presioni psikik nganjëherë vjen edhe prej foltores së kuvendit, ndoshta edhe nga ndonjë foltore tjetër të ndonjë mesazhi të ndryshëm. Ato që po fliten në kuvend i dëgjojnë gjithë qytetarët, tjerat raste i ftoj gjyqtarët që t`i lajmërojnë rastet, për shkak se ka një hezitim prej gjyqtarëve ndoshta ka ndonjë presion, por s`po lajmërohen”, ka deklaruar i pari i Gjykatës Supreme.

Peci ka thënë se duhet reagim më i zëshëm i Këshillit në raste kur ka ndërhyrje nga politika në pavarësinë e gjyqësorit.

“Secili në kuadër të kompetencave të veta q i ka duhet me vepru me shpejtësi dhe në momente kur mendon se po preket pavarësia e gjyqësorit duhet me reaguar, pa marrë parasysh kush është në pyetje”, ka thënë Peci.