Gjyqtarët Kërkojnë Kushte

Kryetari i gjykatës komunale, Ramiz Azizi i bëri publike kërkesat e tij për kushte më të mira në një konferencë për media dhe publikun. Kjo ishte konferenca e parë në historinë e kësaj gjykate. 

Azizi theksoi se gjykata i ka nëntë gjyqtarë dhe që nuk i përgjigjet popullatës në komunën e Gjilanit duke shtuar se kjo përbërje në gjykatë mbetet shumë larg nga mesatarja në rajon. 

Sipas tij, në rajon janë 53 gjyqtarë mesatarisht për 100,000 banorë ndërsa në vendin tonë janë 13 gjyqtarë. 

“Kemi nevojë për gjyqtarë dhe për një reformë të thellë në stafin administrativ”, tha Azizi duke iu referuar ndryshimeve që nuk janë bërë që nga përfundimi i luftës.

“Edhe gjyqtarët laikë, janë të moshuar dhe që nga emërimi i tyre pas luftës nuk është bërë ndonjë ndryshim. Ndodh që gjatë seancës, gjyqtarin laik ta zë gjumi”, tha ai.  

Ai po ashtu theksoi se ky numër i vogël i gjyqtarëve ndikon shumë në zgjidhjen e numrit të madh të lëndëve të pazgjidhura në gjykatë. Ai tha se për momentin në gjykatë presin më shumë se 8,400 lëndë të zgjidhen dhe kjo është një mbingarkesë për ta.

Azizi po ashtu kërkoi kushte më të mira të punës. “I kemi 3 automjete, ndër to është një Lladë Ruse, e cila bënë shumë shpenzime”, tha Azizi.

Kryetari i gjykatës paraqiti statistikat e punës për këtë viti në të cilat shifrat tregonin për një efikasitet të gjykatës. 

Ai tha se gjatë vitit 2011, gjykata kishte pranuar 263 lëndë të konfirmimit të aktaktakuzës ndërsa janë kryer 313.

Sa i përket lëndëve penale të shkallës së parë, gjykata kishte pranuar 1, 825 ndërsa janë kryer 3,804 duke i patur parasysh edhe rastet të cilat i kanë trashëguar.  

Njëri prej gjyqtarëve gjilanas, Ismet Ukshini tha se nuk është pak për një gjyqtar që brenda një viti të kryej 1.000 lëndë. “Gjykata mos të shihet vetem zi, se ka edhe bardh. Kemi trasheguar me qindra lëndë,” tha Ukshini.

Zëdhënësja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Aishe Qorraj-Berisha tha se gjykata e Gjilanit duhet të mirret si model për të tjerat duke aluduar në transparencën e saj dhe kontaktet me publikun.

“KGJK-ja si prioritet e ka kthimin e besimit të qytetarëve te gjyqësori. Kërkojmë nga gjykatat tjera që rasti i Gjilanit të meret si model. E hapur për publikun,” tha Qorraj-Berisha. 

Në këtë tubim publik ishin edhe përfaqësues nga OSBE’ja, USAID’i po ashtu edhe gjyqtarë dhe prokurorë nga EULEX’i.