Gjykimi për vrasje në tentativë | Foto: KALLXO.com

Gjyqi për Tentim- Vrasje dhe Rrahje në lokalin ‘Kajot’

Seanca e gjykimit ku Gazmend Fazliu akuzohet për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje nuk u zhvillua, ngase munguan katër të akuzuar tjerë të këtij procesi që ngarkohen për pjesëmarrje në rrahje.

Me fillim të kësaj seance gjyqësore kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri njoftoi të pranishmit se nuk ka kushte për t’u mbajtur seanca, pasi mungonin të akuzuarit Shpëtim Shasivari, Xhevdet Musa, Hysni Ibrahimi e Gazmend Fazliu.

Shasivari, Musa, Ibrahimi e Fazliu bashkë me Hazbi Sekiraqën ngarkohen për pjesëmarrje në rrahje.

Gjyqtarja Gërguri tha se të akuzuarve u janë dërguar ftesat për seancë, por gjykata, sipas saj, nuk ka pranuar fletë-kthesë nga të njëjtit.

Kryetarja e trupit gjykues deklaroi se gjykata do të vërtetojë vendndodhjen e të akuzuarve e pastaj do të vendosë për shqyrtimin e radhës.

“Gjykata do të lëshojë urdhëresë për vërtetim të adresës, e pastaj do të vendosë në lidhje me seancën tjetër, andaj seanca shtyhet për kohë të pacaktuar deri sa të vërtetohet adresa e të akuzuarve”, deklaroi Shadije Gërguri”.

Sipas aktakuzës, në shkurt të vitit 2013 nga kati i dytë i kompleksit banesor “Lesna” pranë lokalit “Kajot” e përballë Institutit Albanologjik në Rrugën “Eqrem Çabej” të Prishtinës ekziston dyshimi i bazuar mirë që Gazmend Fazliu ka shtënë pesë herë me pushkë automatike nga një distancë 3 deri 6 metra në drejtim të Dardan Krasniqit me të cilin ishte rrahur.

Në aktakuzë thuhet se të shtënat drejt Krasniqt ishin bërë për ta privuar atë nga jeta, por predhat e shkrepura nga arma automatike kishin përfunduar para këmbëve të të dëmtuarit, duke u devijuar pastaj nga palltoja e tij.

Megjithatë në aktakuzë tregohet se Dardan Krasniqi ishte plagosur në dy kofshët e këmbëve.

Atëherë predhat e shkrepura kishin qëlluar edhe kalimtarin e rastit Bekim Qelaj.

Shpëtim Shasivari, Xhevdet Musa, Hysni Ibrahimi, Fanol Krasniqi e Hazbi Sekiraça akuzohen se në mars të vitit 2013 morën pjesë në rrahje për të kërcënuar Dardan Krasniqin e Bekim Qelajn.

“Në mars të vitit 2013 në Lokalin ‘Kajot’ në Rrugën ‘Eqrem Çabej’ në Prishtinë, kanë marrë pjesë në rrahje me qëllim kërcënimi dhe frikësimi me ç’rast kanë rrokë stupca druri dhe shufra hekuri si mjete të përshtatshme për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore ku janë dëmtuar Dardan Krasniqi dhe Bekim Qelaj duke pësuar lëndime trupore”, thuhet në aktakuzë.