Shiritat e KEK-ut në Obiliq - Foto: KALLXO.com

Gjykohen për Vjedhje të Thëngjillit në Vlerë 20 Euro

Pas leximit të aktakuzës, Arsim Saraqi, Sabri Grajqevci dhe Arsim Muli thanë se ndihen të pafajshëm, ndërsa Adnan Bullaku e pranoi fajësinë, duke shprehur keqardhjen për rastin e ndodhur.

Sipas aktakuzës, punëtori i sigurimit i KEK-ut i ka zënë të akuzuarit duke vjedhur thëngjill te shiritat e KEK-ut. Ngjarja ka ndodhur në në shkurt  të këtij viti në Obiliq.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit duke dashur të mbajnë pasurinë e vjedhur përkundër thirrjes së punëtorit të sigurimit që të ndalen i akuzuari Ballaku e ndez kamionetën e mbushur me thëngjill dhe e godet atë në këmbë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Prokurorja Ferdane Sylejmani të akuzuarit i ngarkon me veprën penale të vjedhjes grabitqare, e cila është e dënueshme nga 3 deri në 10 vjet burgim.

Avokatja e të akuzuarit Ballaku, Lule Bilalli-Ymeri, tha se kualifikimi juridik që ka bërë prokurorja është shumë i rëndë teksa tha se vlera e thëngjillit të vjedhur ishte rreth 20 euro.

Të gjithë të akuzuarit e këtij rasti u deklaruan se janë të gjendjes së dobët ekonomike.

Seanca e radhës në këtë rast ku do të mbahet shqyrtimi i dytë dhe kundërshtimi i aktakuzës për ata që u deklaruan të pafajshëm do të mbahet në muajin shtator.