Gjykimit për Fajde në Prizren i Mungojnë Dëshmitarët

Në gjykimin e 14 të akuzuarve për fajde dhe vepra tjera të rënda penale, nuk ishin të pranishëm gjashtë dëshmitarë të ftuar nga gjykata.

Sipas informatave të trupit gjykues shumë nga ta gjenden në botën e jashtme.

Prokurorja speciale Merita Binaj-Rugova propozoi që ose  dëshmitë e këtyre dëshmitarëve të merren, ose të lexohen deklaratat e tyre të dhëna në procedurën paraprake.

“Unë nuk kam evidencë se a janë të arritshëm apo jo ata dëshmitarë, por ata që gjenden në Kosovë, të gjenden dhe të dëshmojnë në këtë shqyrtimin kryesor, ndërsa dëshmitarët të cilët gjenden në botën e jashtme propozoj që në bazë të nenit 338 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1, të lexohen deklaratat e tyre” tha Merita Binaj-Rugova.

Propozimin e prokurores e kundërshtuan avokatët mbrojtës, me arsyetimin se gjatë dëshmisë së të mbrojturve të tyre në procedurën paraprake nuk kanë qenë të pranishëm.

Pas kundërshtimeve të mbrojtjes, prokurorja tha se kishte insistuar që të akuzuarit të mbaheshin në paraburgim, pasi sipas saj shumica e dëshmitarëve kanë ndërruar deklaratat e tyre në gjykatë.

Në seancën e 7 prillit gjykata vendosi që dy të akuzuarve-Tunë e Gjon Kqirës paraburgimin t’ua zëvendësojë me arrest shtëpiak.

http://kallxo.com/lirohen-nga-paraburgimi-tune-e-gjon-kqira/

Trupi gjykues mori vendim që dëshmitarët e ftuar të provohet edhe njëherë të sillen në gjykatë me anë të policisë.

Të martën dëshminë e dha vetëm Shemsedin Berisha, ndërsa ajo lidhej drejtpërdrejt  me të akuzuarin Benson Buza.

Dëshmitari Berisha, tha se e njeh nga viti 2004 të akuzuarin Buza, ndërsa tregoi se në vitin 2010 tri herë mori nga 20 mijë euro prej tij-gjithsej 60 mijë euro, me kamatë 2 mijë euro në muaj.

“Pas një muaji gjysmë të rastit të dytë, kam kërkuar njëjtë 20 mijë euro, edhe për herën e tretë afati i kthimit ka qenë një muaj dhe gjithashtu kamata mujoje ka qenë 2 mijë euro” tha Berisha.

Dëshmitari tregoi se i ka marrë nga Buza edhe 2500 euro me kamatë prej 500 eurove, pasi ishte i sëmurë, ndërsa këto para tha se ende nuk i kishte kthyer.

Mbrojtja e të akuzuarve në fund kërkoi ndërprerjen e paraburgimit për katër të akuzuarit, Marjan e Kastriot Kqira, Benson Buza e Besfort Omaj.

Për Besfort Omajn, mbrojtja i propozoi trupit gjykues masën e dorëzanisë, duke i premtuar 25 mijë euro garanci. Ndërsa për Benson Buzën, familjarët e tij kishin premtuar shtëpinë si hipotekë.

Mbrojtësi i Tunë Kqirës, avokati Skender Musa, kërkoi ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak për shkak se Tunë Kqirës sipas tij i duhet një ndërhyrje kirurgjike.

Këto propozime i kundërshtoi prokurorja speciale dhe trupi gjykues refuzoi kërkesat e mbrojtjes për ndryshimin e masës së paraburgimit dhe po ashtu për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak ndaj Tunë Kqirës,  me arsyetimin se Gjykata e Apelit ende nuk ka vendosur lidhur me ankesën për ndërprerjen e paraburgimit ndaj Tunë e Gjon Kqirës.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

KALLXO.com e ka ndjekur vazhdimisht këtë proces gjyqësor. Këto shkrime mund t’i lexoni këtu.