Arkiv: Qemajl Mustafa

Gjykimi i Qemajl Mustafës Zhvendoset në Pejë

Ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 38 personave të akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, do t’u duhet që ditëve kur të ketë seanca të udhëtojnë nga Gjilani për në Pejë.

Vendimin për transferimin e këtij rasti voluminoz në Gjykatën Themelore të Pejës e ka marrë Gjykata e Apelit, sipas kërkesës së Gjykatës në Gjilan.

Këtë vendim për KALLXO.com e konfirmoi zyrtarja për informim pranë Gjykatës Themelore të Pejës, Selvana Bukleta.

“Gjykata Themelore e Pejës e ka pranuar lëndën e te akuzuarit Qemajl Mustafa dhe të tjerëve me kërkesë te Gjykatës se Gjilanit drejtuar Gjykatës së Apelit, e me vendim te gjykatës se Apelit (e cila njëherësh është edhe gjykatë për caktim kompetencash në rast të konfliktit) lënda është caktuar për shqyrtim në Gjykatën e Pejës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Pejës.

Prokuroria Speciale e Kosovës në shtator të vitit të kaluar ngriti aktakuzë ndaj 39 personave për vepra penale që lidhen me krim të organizuar dhe korrupsion.

Në njoftimin për ngritjen e aktakuzës, u tha se përveç ish-kryetarit, Mustafa të akuzuar janë edhe tetë zyrtarë tjerë të asaj komune, si dhe dhjetë pronarë apo përfaqësues të disa operatorëve ekonomikë.

Mustafa ka qenë kryetar i Komunës së Gjilanit për dy mandate nga viti 2007 deri në vitin 2013, ndërsa tani është anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Sipas aktakuzës, zyrtarët duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ose duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, ndërsa të pandehurit tjerë duke vepruar si pronarë apo përfaqësues të këtyre operatorëve ekonomikë, kanë ushtruar veprimtari ekonomike me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për operatorin ekonomik tjetër, me rastin e ofertimit në aktivitete të prokurimit pranë asaj komune.

Sipas provave të cilat i janë bashkëngjitur aktakuzës, ish kryetari Qemajl Mustafa ka koordinuar veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit, më saktë pronarët apo përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë (bizneset) e cekura në aktakuzë.

Sipas prokurorisë, gjatë analizimit dhe trajtimit të hollësishëm të këtyre aktiviteteve të prokurimit në periudhën kohore 2008-2011 ka rezultuar se ish kryetari duke ushtruar fuqinë e tij ekzekutive si kryetar i komunës ka koordinuar dhe ishte në dijeni për të gjitha këto aktivitete të prokurimit, krejt kjo bazuar në komunikimet e drejtpërdrejta dhe komunikimet përmes telefonit me menaxheren e prokurimit dhe me pronarët apo përfaqësuesit e këtyre bizneseve.

Përmes menaxheres së prokurimit, ish kryetari kishte fuqinë edhe sa i përket vendosjes së caktimit të anëtarëve të komisioneve për vlerësimin e ofertave dhe anëtarëve të komisioneve vlerësuese në aktivitete të ndryshme të prokurimit.

Këto komunikime në aktakuzë thuhet se rezultuan me fitimin e kontratave të pronarëve të akuzuar të bizneseve në bazë të kurdisjeve me ish-kryetarin, menaxheren e prokurimit dhe dakordimeve paraprake të pronarëve të këtyre bizneseve, krejt kjo me qëllim qe t’i sjellin vetes apo tjetrit përfitim të kundërligjshëm dhe me këtë duke i shkaktuar dëm Komunës së Gjilanit, buxhetit të Kosovës dhe operatorëve të tjerë ekonomikë, të cilët nuk ishin pjesë e këtyre kurdisjeve.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veptrat penale me të cilat i ngarkon prokuroria.

Të akuzuar tjerë të këtij rasti janë edhe H.D, V.G, Q.S, I.R, M.N, M.K, H.M, F.H, D.B, A.H, R.M, S.Sh, G.K, Sh.Q, M.C, I.F, B.M, H.I, F.O, H.A, S.Xh, Q.L, E.B, A.M, N.S, Z.F, A.M, N.J, B.K, A.P, Rr.H, F.Z, S.I, N.M, M.A, B.G, A.A dhe A.S.

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-qemajl-mustafes-dhe-38-te-tjereve/

18 Tenderët që Rëndojnë mbi Qemajl Mustafën me Shokë