Gjykimi për stentat | Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Stentat në Sallën e Konferencave

Seanca fillestare në Rastin Stenta ku të akuzuar janë 64 persona kryesisht punëtorë shëndetësorë të institucioneve publike e private është shtyrë për mungesë të njërit nga të akuzuarit-Agron Besimit.

Para se gjykata të vendosë për shtyrjen, me mosmbajtjen e seancës sot u pajtua edhe prokurori Agron Bajrami që ditën e sotme e përfaqësoi aktakuzën.

Bajrami tha se nuk janë plotësuar kushtet për zhvillimin e seancës, ndërsa i kërkoi gjykatës që në seancën e radhës ta sigurojë praninë e të akuzuarve.

Prokurori e pranoi se ende nuk u janë dorëzuar provat të akuzuarve që nuk e kanë gjuhë amtare shqipen.

“Për sa i përket çështjes së provave u janë dorëzuar të gjithëve, ndërsa sa u përket atyre në gjuhën turke pjesa e mbetur e materialeve do t’u dorëzohet shumë shpejt,” tha prokurori Bajrami.

Prokurori kundërshtoi veçimin e procedurës për Aganin e Shabanin.

“Nuk plotësohen asnjë nga kushtet ligjore për veçimin e procedurës dhe se provat janë të  ndërlidhura dhe veçimi do të ishte në kundërshtim me parimet e procedurës penale,” tha prokurori Bajrami.

Seanca e shtyrë u caktua të zhvillohet më 30 nëntor.

10:25

Adem Vokshi dhe Nikë Shala avokatët e ish-ministrit të Shëndetësisë Ferid Agani dhe sekretarit të përhershëm Gani Shabani, kërkuan gjykim veçmas nga të tjerët për të mbrojturit e tyre, duke e arsyetuar këtë me fjalët se veprat për të cilat ngarkohen Agani e Shabani nuk lidhen me të akuzuarit tjerë.

“Pasi që i mbrojturi im akuzohet për bashkëkryerje me të akuzuarin Gani Shabani të detyrës zyrtare dhe duke marrë parasysh rrethanat që na u shfaqën në shqyrtimin e sotëm dhe që këta nuk kanë të bëjnë me te akuzuarit tjerë dhe do të procedohen me shumë se 200 dëshmitarë dhe asnjëri nga ta nuk kanë të bëjnë me këta të dy, kërkoj veçimin e procedurës penale ndaj këtyre dy të akuzuarve për hir të efikasitetit të procedurës,” tha avokati Adem Vokshi.

Avokati tjetër Kujtim Kërveshi kërkoi mbylljen e seancës me arsyetimin e ruajtjes së sigurisë së disave nga të arrestuarit.

Në gjykimin për stentat është duke munguar i akuzuari Agron Besimi.

10:12

Skender Musa, njëri nga avokatët në rastin e stentave po ankohet se nuk ka kushte për t’u zhvilluar seanca ngase sipas tij mbrojtja disa prova i ka marrë në CD, ndërsa për t’i hapur duhet pasur laptop, ndërsa nuk ka hapësirë për të.

Musa po tregon në seancë se edhe disa nga të akuzuarit që nuk e kanë gjuhën shqipe gjuhë amtare nuk i kanë marrë me kohë materialet në gjuhën e tyre.

Musa po kërkon shtyrjen e seancës për përgatitje të mbrojtjes.

09:39

Për shkak që janë 64 të akuzuar në Rastin “Stenta” për shpërdorim detyre dhe për marrje ryshfeti, gjykimi po zhvillohet në sallën e konferencave të Pallatit të Drejtësisë.

Në këtë proces gjyqësor që fillon sot, të akuzuar janë 44 mjekë, 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Pjesë e këtij gjykimi janë ishin ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe sekretari i përhershëm i kësaj ministrie Gani Shabani që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare ghjatë lëshimit të lejeve për trajtimin e pacientëve jashtë vendit.

Sipas aktakuzës, këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore, për periudhën 2011 -2015.

Sipas aktakuzës, këta dy të akuzuar i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej  4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës ashtu që në vend që të lejoheshin pagesat deri ne 70% të shpenzime për trajtim mjekësor, të njëjtit lejuan pagesat prej 100 % edhe për rastet kur nuk ishin plotësuar kushtet ligjore, pra për rastet kur pacientët nuk ishin invalidë të luftës ose raste sociale.

Pika e dytë e akuzës i ngarkon të të pandehurit G. B., S. Gj., F. Sh., B. Z., H. S., B. G., F. H., K. P., D. G., H. Q., A. K., E. P., E. H., A. P., N. M., D. K., A. B., Xh. K., L. P., R. M për keqpërdorim të pozitës po ashtu.

Prokuroria pretendon se këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më udhëzimet administrative të Ministrisë së Shëndetësisë u kanë lëshuar pacientëve ose familjarëve të tyre letrat referuese për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore, pasi që të njëjtit i kishin kryer të gjitha trajtimet mjekësore dhe më nuk kishin nevojë për trajtim mjekësor.

Sipas prokurorisë në disa raste këto letra referuese i kishin lëshuar edhe për persona të vdekur,  të cilat letra pastaj ishin njëri ndër kushtet kryesore për t’ua mundësuar të pandehurve F.A. dhe G.Sh. që të lejonin pagesat për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore, të cilat pagesa për periudhën 2011 – 2015 kanë arritur për të dy spitale private në shumë prej 4,555,553.00 euro.

Sipas pikës 3 të aktakuzës të pandehurit: G. B., D. G., E. M., N. R., N. Z.,  A. K., S. Gj., F. S.,  L. K.,  H. S., B. Z., R. E.,  H. H., B. G., F. S., A. L., A. B., H. Q., G. B.,  B. M., D. M., B. K., F. S., M. G., M. S., Sh. Sh., F. H., K. P., B. G., B. P., F. Sh., M. A., I. A., P. A., A. S., S. Sh. dhe L. P., janë akuzuar secili për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare si dhe marrje të ryshfetit.

Sipas Prokurorisë, këta të pandehur duke bashkëpunuar më pronarët dhe aksionarët e spitaleve private “IMH” dhe “EDA” kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare dhe kanë tejkaluar autorizimet zyrtare, duke referuar dhe dërguar pacientë nga institucionet publike shëndetësore në këto dy spitale private.

Sipas Prokurorisë për këtë kanë marrë ryshfet nga këto spitale, shuma të parave që shkonin deri në 500 euro nëse pacienti i referuar / dërguar vendoste stentë dhe 150 euro nëse pacienti bënte vetëm koronarografinë. Shumat e ryshfetit që merrnin këta të pandehur sillen nga 150 euro deri në 21,985 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës me  veprimet e tyre këta të pandehur u shkaktonin dëm pacientëve, i cili dëm sillej nga 700 euro deri në 18,000.00 euro për person dhe më këto veprime për periudhën 2011-2015 ia kanë mundësuar përfitimet financiare spitalit “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro ose të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro.

Mjekët dhe punonjësit shëndetësore që po nisin të gjykohen sot qenë arrestuar më 9 tetor 2014.

Një ditë më pas KALLXO.com siguroi dokumentin e prokurorisë me të cilin kërkohje paraburgim për mjekët e arrestuar në të cilin të arrestuarit e atëhershëm me sms flisnin për pacientë që nga institucionet publike i dërgonin në ato private në këmbim të përfitimit material.

http://kallxo.com/sms-te-e-mjekeve-te-arrestuar/

Për rastin e stentave emisioni “Jeta në Kosovë” shfaqi një hulumtim në dhjetor të vitit 2014.

Stentat-Rrëfimet e Pacientëve

Me këtë hulumtim vitin e kaluar ekipi i emisionit “Jeta në Kosovë” fitoi ëmimin e dytë të BE-së për gazetari hulumtuese.

http://kallxo.com/jeta-ne-kosove-dhe-kallxo-com-cmim-per-gazetari-hulumtuese-me-stentat/