Pallati i Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Shpërthimin e 2008-ës që Vrau Dy Njerëz

Bombola e gazit kishte shpërthyer më 15 mars 2008 në Prishtinë gjatë furnizimit të pompës së derivateve të kompanisë “M-Gas Petrol” nga një autocisternë e firmës “P Gas”, duke shkaktuar vdekjen e Bekim Muharremit dhe Ismajl Sadikut dhe lëndimet e Naser Dragushës, Meriton Demirit dhe Abbade Aylew-it.

Nga shpërthimi ishin shkaktuar edhe dëme në makinat dhe objektet përreth.

Aktakuza ndaj pronarëve të kompanive “M Gas Petrol” dhe “P Gas” Muhamet Prapashtica e Besnik Sadiku, shefit të Inspeksionit të Tregut në Komunën e Prishtinës Ahmet Frangu, inspektores së tregut në këtë komunë Nafije Osmanit dhe vozitësit të kompanisë “P-Gas” Faton Canolli u ngrit nga ish-Prokuroria e Qarkut në Prishtinë në shtator të vitit 2008.

Në seancën e këtij gjykimi dëshmoi Zaim Berisha ish-drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje Civile dhe Emergjencë në Komunën e Prishtinës.

Pyetjes së prokurores së rastit se cila ka qenë detyra e tij në atë kohë ai theksoi se ka organizuar mbrojtjen civile në  Komunën e Prishtinës.

“ Kam pasur detyrë të organizohet mbrojtja civile në tërë Komunën e Prishtinës për shkak të fatkeqësive elementare dhe kam nënshkruar konstatimet që kanë bërë inspektorët në terren,” tha Berisha.

Për rastin konkret të shpërthimit të bombolës së gazit ai tha se nuk i kujtohet se firma “M Gas  Petrol “ ka bërë kërkesë për dhënien e pëlqimit për të ushtruar veprimtarinë.

Dëshmitari u pyet edhe për kushtet që duhet t’i plotësojë një firmë për të ushtruar aktivitetin e saj.

Ish-drejtori Zaim Berisha tha se ato kushte i kanë përcaktuar inspektorët të cilët kanë qenë të pavarur në kuadër të drejtorisë që ai e ka udhëhequr, ai gjithashtu shtoi se për t’u hapur një firmë duhet të ketë pasur edhe lejen e punës.

Trupi gjykues e pyeti ish-drejtorin për Mbrojtje Civile se sa herë kanë dalë inspektorët e komunës për të mbikëqyrur kompaninë “ M Gas  Petrol “ e cila ka bërë shitjen e gazit si lëndë e rrezikshme dhe ai u përgjigj se nuk e di.

“ I kam propozuar edhe Kryetarit të Komunës se të gjitha pompat në qytet duhen të largohen pasi janë të rrezikshme për qytetarët,” tha dëshmitari.

Dëshmitari gjithashtu deklaroi se ai nga data 4 janar 2007 nuk ka ushtruar detyrën e drejtorit që nxiti më pas debat në sallën e gjykimit, ngase në një konstatim për firmën “ M Gas  Petrol “  që kishin bërë inspektorët më 7 qershor 2007, në atë konstatim  ishte nënshkrimi i Zaim Berishës dhe i inspektorit Shaban Halili.

“ Me ardhjen e kryetarit të ri është shuar drejtoria ime dhe ka mbetë vetëm sektori i emergjencës, unë nuk kam qenë drejtor nga 4 janari 2007 dhe më nuk kam nënshkruar asnjë dokument zyrtar, ai nënshkrim nuk është i imi, ” vlerësoi Berisha.

Pas këtij mospranimi trupi gjykues i sqaroi dëshmitarit se kjo çështje mund të vërtetohet përmes ekspertizës dhe për këtë u propozua që Shaban Halili si bashkënënshkrues i atij konstatimi të vijë në gjykatë në seancën e radhës dhe të japë dëshminë e tij.

Muhamet Prapashticën prokuroria e akuzon se ka kryer veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, pasi si pronar i kompanisë “M Gas  Petrol “ në vitin 2007 kundër ligjit ka ndërtuar pompën e benzinës, duke rrezikuar jetën dhe pasurinë e qytetarëve.

Për veprën e njëjtë akuzohet edhe Besnik Sadiku, ai si pronar i kompanisë “ P-Gas “, sipas aktakuzës,  kishte marrë me qira objekt të deponisë së gazit në Fushë-Kosovë pa i përfillur dispozitat ligjore.

Faton Canolli akuzohet se si vozitës I firmës “ P-Gas “ pa kontratë pune për të ushtruar veprimtarinë e shitjes së gazit, nga pakujdesia gjatë kyçjes dhe shkyçjes të elementeve për mbushje me gaz ka ka shkaktuar eksplodim të gazit.

Të pandehurit Ahmet Frangu dhe Nafije Osmani akuzohen se kanë kryer veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit.

Sipas aktakuzës, Frangu në cilësinë e shefit të Inspeksionit të Tregut në Komunën e Prishtinës ka shpërdoruar detyrën duke ia mundësuar firmës  “ M Gas  Petrol “ të përfitojë dobi pasurore me lejimin të  ushtrojë veprimtarinë e saj pa leje valide.

Për arsye të njëjta akuzohet edhe Nafije Osmani e cila në cilësinë e inspektores të tregut në Fushë-Kosovë duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, ka lejuar kompaninë “ P Gas “  të përfitojë pasuri në mënyrë të kundërligjshme duke ushtruar  veprimtarinë e saj pa leje valide.

Seanca e radhës u caktua për datën 13 shtator.