Gjykimi për grabitjen në pompë | Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Plagosjen dhe Grabitjen e Punëtorit të Pompës

Avokatët e tre nga katër të akuzuarve për grabitjen në pompën e derivateve “Euro Jon” dhe plagosjen e punëtorit të kësaj pompe kërkuan që të hedhet poshtë aktakuza ndaj të mbrojturve të tyre.

Avokati mbrojtës i Argjend Gashit, Bajram Sherifi tha se mbetët në tërësi pranë kërkesës për hedhje të aktakuzës me arsyen se i mbrojturi i tij atë ditë nuk kishte qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes.

“Mbetemi në tërësi pranë kërkesës për hedhje të aktakuzës. Argjend Gashi nuk ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. I njëjti në prokurori ka dhënë arsyet, ku ka cekur se në ditën kritike nuk ka qenë në vendin e ngjarjes, e të njëjtën e mbështet edhe deklarata e të akuzuarit tjetër Denis Avdija i cili në deklarimin e tij e cek se në pompën e benzinës ‘Euro Jon’ ka qenë vetëm”, tha avokati Sherifi.

Edhe avokati i Naser Cenës, Muhamet Hamolli e kundërshtoi aktakuzën.

“Në rastin konkret nuk ka prova të mjaftueshme të cilat e mbështesin dyshimin e bazuar mirë që i mbrojturi im e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, prandaj propozoj që kërkesa ime të aprovohet dhe të hedhet aktakuza”, tha Hamolli.

Edhe avokati Afim Salihu e kundërshtoi aktakuzën, pasi që sipas tij të mbrojturin e tij Ismet Krasniqin, të gjithë të akuzuarit e tjerë nuk e kanë përmendur askund që u ka ndihmuar në grabitje.

Vetëm Isak Hoxha, mbrojtësi i i Denis Avdisë nuk paraqiti kundërshtiomete  aktakuzës, pasi i mbrojturi i tij ka pranuar fajësinë për grabitje.

Por prokurori Armend Hamiti i kundërshtoi kërkesat për hedhje poshtë të aktakuzës, duke thënë se avokatët nuk kanë mundur të kontestojnë provat.

“Duke pasur parasysh provat që është ngritur aktakuza janë marrë në mënyrë të ligjshme do të thotë se edhe aktakuza nuk ka ndonjë defekt ligjor, dhe si e tillë gjatë shqyrtimit kryesor pas administrimit të të gjitha provave do të vërtetohet për secilin nga të akuzuarit se janë kryes të veprës penale për të cilën ngarkohen”, tha prokurori Hamiti.

Pastaj kryetari i trupit gjykues Vehbi Kashtanjeva hodhi poshtë kundërshtimet e aktakuzës nga mbrojtja.

“Kundërshtohen kërkesat për hedhje të aktakuzës, me qenë se të gjitha provat të cilat janë marrë dhe gjendjet në shkresat e lëndës në asnjë mënyrë nuk janë marrë në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale si dhe në bazë të provave që gjenden në shkresat e kësaj lënde ekziston dyshimi i bazuar mirë që të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat janë të akuzuar”, tha Kashtanjeva.

Sipas aktakuzës, në mars të vitit të kaluar në fshatin Arllat të Drenasit, të pandehurit Denis Avdija dhe Argjend Gashi, të armatosur dhe me maska të zeza në kokë, hynë në pompën e derivateve “Euro Jon” me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm pasuror.

Ata e kërcënuan me armë punëtorin e pompës Bedri Krasniqin nga i cili kërkuan para. Derisa Bedriu po e fuste dorën në xhep për t’i nxjerrë paratë, i pandehuri Denis Avdija shtiu me armë në drejtim të tij dhe e qëlloi në këmbën e djathtë. Pastaj e goditi në shpinë, ndërsa Avdija e Gashi ia morën paratë dhe u larguan nga vendi I ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri tjetër, Naser Cena, u ndihmoie duke e përcjellë situatën nga jashtë. Pastaj së bashku me Gashin e Avdinë ishin nisur për në Ferizaj, ku të njëjtëve Cena ua pagoi hotelin për të fjetur.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ismet Krasniqi në orën 14:00 kontaktoi përmes telefonit të pandehurit e lartpërmendur, pastaj takohen në parkingun e supermarketit “Sharri” në Llapushnik, duke iu dhënë udhëzime për lokacionin e grabitjes. Gjithashtu, ai i kontaktoi gjatë dhe pas kryerjes së veprës penale të grabitjes.

Denis Avdija dhe Argjend Gashi sipas aktakuzës akuzohen për veprën penale grabitje, ndërsa Naser Cena dhe Ismet Krasniqi akuzohen për ndihmë në kryerjen e veprës penale.

Denis Avdija dhe Argjend Gashi po mbahen në paraburgim, ndërsa Naser Cena e Ismet Krasniqi po gjykohen në liri.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 5 korrik me ç’rast në cilësinë e dëshmitarit do të ftohen, Bajram Bujupi dhe Bedri Krasniqi i dëmtuar në këtë rast.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/mungon-akuzuari-per-ndihme-ne-grabitje/

http://kallxo.com/i-akuzuari-per-grabitje-ne-pompen-e-benzines-e-pranon-fajesine/