Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Përleshjen mes Kushërinjve që nisi nga një Stërpikje me Lloç

Në gjykimin për përleshjen që kishte ndodhur në mes të dy kushërinjve, siç thuhet në aktakuzë për shkak të një “stërpikjeje me ujë”, ngjarje kjo që ka ndodhur në vitin 2007, dëshmoi Zejnullah Gashi.

Zejnullah Gashi në lidhje me ngjarjen që kishte ndodhur para më shumë se 10 vjetëve deklaroi se për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar, tashmë mund të mos i mbajë në mend detajet, por tha se nuk i heq asnjë fjalë deklaratës së tij të dhënë në polici.

“Më me vetë dje çka ke hëngër tybe te disha, mbes pranë deklaratës në polici, aty ndryshim nuk ka asnjë fjalë”, tha dëshmitari.

Për këtë shkak kryetari i trupit gjykues Arben Hoti i lexoi deklaratën e tij të dhënë në polici për të cilën dëshmitari pasi që dëgjoi se çka kishte deklaruar tha se edhe më tutje qëndron prapa atyre fjalëve.

Gjatë kësaj seance e dha mbrojtjen edhe vet i akuzuarit Sami Gashi i cili deklaroi se në ditën kur kishte ndodhur ngjarja kishte qenë duke shkuar në punë.

“Unë në ditën kritike kam qenë duke shkuar në punë, në atë kohë kam punuar në Taxi ‘Victory’ në lagjen time në fshatin Mramor rruga ka qenë e pashtruar, gropat janë mbushur me ujë dhe me lloç sepse ka rënë shi”, tha i akuzuari.

Tutje ai deklaroi se më pas kishte ardhur Alban Gashi me veturë dhe kishte vozitur me vrull duke e përlyer kështu me baltë të akuzuarin.

“Unë e kam parë një veturë të cilën po e ngiste Albani kojshia, dhe i kam thënë veç pak ma kadalë po më zhyt, ai ma ka kthyer pse ti mu po më thua kështu dhe më ka sha me rob, në atë moment i ka sjellë rrotat dhe e ka nisur me vrull veturën dhe me ka përlyer me lloç të tërin”, tha Sami Gashi duke shpjeguar se si kishte ndodhur ngjarja.

I akuzuari deklaroi se me kushëririn e tij Alban Gashin më pas ishte takuar pas dy javëve, dhe atë ditë ishin fjalosur para shtëpisë së kushëririt të tyre të përbashkët Zejnullah Gashit.

“Pas një kohe gati dy javë, unë kam qenë duke shkuar te lopët dhe jemi takuar te shtëpia e Zejnullah Gashit, unë i kam thënë pse po me shan çka të kanë faj familja pse me bërë me lloç dhe Zejnullah Gashi ka dalë dhe na ka hyrë në mes, ne aty vetëm jemi shtyrë me fjalë as nuk i kam rënë as nuk kam pasur pushkë e as thikë”, tha Sami Gashi.

Ai mohoi se ia kishte drejtuar armën Alban Gashit, duke pranuar se atë armë e kishte me leje, ndërsa policia ia kishte marrë.

“Aty ka dalë Zejnullahu na ka thënë ecni dhe unë e kam dëgjuar, i kam thënë mos me ba ma vaki me më shajt, mos më me bo më me lloç. Pas tri ore kanë ardhur policia unë kam shkuar vetë në polici. Llovaçkën e kanë marrë e cila ka qenë me dokument vetëm për këtë fjalosje”, tha Gashi.

I akuzuari Sami Gashi tha se me Alban Gashin i ka përmirësuar marrëdhëniet, ndërsa siopas tij Alban Gahi po deklaron se i akuzuari ia ka drejtuar5 armën vetëm nga shpresa se prej kësaj mund të përfitojë materialisht.

“Me Albanin shihemi çdo ditë, i kemi ndrequr marrëdhëniet por unë dyshoj se qëllimi i Albanit është që të nxjerrë para prej meje, pasi këtu në seancë i kërkonte 30 mijë euro, i ka mbetur një shtëpi në gjysmë e s’po mundet me e rregullu”, deklaroi i akuzuari.

Më pas prokurorja Besa Limani propozoi që si dëshmitarë të radhës të ftoheshin edhe kushërinjtë e tjerë Isuf, Nuhi e Faton Gashi pasi që sipas deklaratës së të dëmtuarit Alban Gashi, këta persona kanë qenë dëshmitarë në momentin kur i akuzuari Sami Gashi e ka kërcënuar atë me pushkën e gjuetisë.

Ky propozim i prokurores u aprovua nga trupi gjykues kështu që u vendos që si dëshmitar të radhës të dëgjohen Isuf, Nuhi e Faton Gashi.

Sipas aktakuzës Sami Gashi nga Fshati Mramur I Prishtinës, në gusht të vitit 2007 për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme, e ka ndaluar të dëmtuarin Alban Gashin, i cili ishte me veturën e tipit “Ascona”.

Aktakuza thotë se fillimisht e ka sulmuar me grushte e pastaj me qëllim frikësimi dhe kërcënimi ia kishte drejtuar pushkën e gjuetisë të tipit “Over Runder” që e mbante me leje dhe e cila më pas i është konfiskuar nga Policia.

Me anë të këtyre veprimeve Sami Gashi akuzohet nga prokuroria të ketë kryer veprën penale, Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim, ose në shfrytëzim të pa autorizuar të armëve.

http://kallxo.com/belaja-qe-lindi-nga-sterpikja-uje-nga-vetura-del-ne-gjykate/