Gjykimi për Njehsorët Elektrikë ‘Kohler’ Vlerësohet Selektiv

Prokurori Hivzi Bajraktari dhe avokatët e të akuzuarve,  Vjollca Ajvazi, Drita Hamiti dhe Avni Alidemaj në rastin e njohur si rasti i njehsorëve “Kohler”, dhanë fjalët e tyre hyrëse ndërsa dëshmitarët e paraparë të dëgjoheshin sot, u ftuan që të paraqiten në gjykatë më 15 nëntor.

Ajvazi e Alidemaj, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), po akuzohen për keqpërdorim të detyrës lidhur me njehsorët elektrik “Kohler”, përderisa Hamiti akuzohet për ndihmë në kryerje të veprës penale.

Avokati i të akuzuarit, Avdi Alidemaj, tha se prokuroria në këtë rast ka bërë ndjekje selektive.

“Në fund të këtij procesi do të dëshmohet se ndjekja ishte selektive, sepse përderisa në aktakuzë paraqiten personat zyrtarë nga KEDS-i, do të konstatohet se prokuroria nuk ka ftuar askënd nga ‘Kohler’, as në cilësi të dëshmitarit madje. Kjo e forcon bindjen se ndjekja është bërë për të qetësuar publikun dhe jo për të gjetur të vërtetën dhe ne gjykatës i propozojmë që në gjykatë të ftohet edhe kjo palë për të dëshmuar lidhur me procedurën e ofertimit, licencimit dhe testimeve, të tjera të cilat kanë ndodhur, pas marrjes së kontratës me korporatën KEDS”, tha Berisha.

Edhe avokati Arianit Koci, që mbron të akuzuaren Drita Hamiti, tha se ajo nuk ka kryer asnjë veprim inkriminues.

“Zonja Hamiti nuk ka ndërmarrë asnjë veprim inkriminues dhe është plotësisht e pafajshme për veprën për të cilën akuzohet”, tha Koci.

Edhe avokati i të akuzuarës, Vjollca Ajvazi tha se e mbrojtura e tij nuk ka ndërrmarrë asnjë veprim përpos atyre të parapara me ligj dhe me udhëzimet administrative në fuqi.

Ndryshe nga avokatët mbrojtës, prokurori Hivzi Bajraktari që tha se pas administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve/dëmtuarve, do të vërtetohet fajësia e të pandehurve.

Seanca e radhës për këtë rast ku do të dëgjohen edhe dëshmitarët do të mbahet më 15 nëntor.

Pjesë e aktakuzës në këtë rast ishte edhe Blerim Sokoli që akuzohej se “si drejtor i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëveprim dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare me dashje tejkaloi kompetencat e veta duke u mundësuar palëve të interesit KEDS dhe ‘Kohler’ të përfitojnë dobi kundërligjshëm”.

Sokoli nuk është më pjesë e shqyrtimit gjyqësor pasi që ka ndërruar jetë.

Sipas aktakuzës, pasi që dy zyrtarët e Metrologjisë Vjollca Ajvazi dhe Drita Hamiti kanë shqyrtuar dokumentacionin për miratimin e lejimit të tipit të njehsorit elektrik digjital të prodhuesit “Kohler”, Sokoli ka pranuar që ta licencojë në mënyrë të kundërligjshme njehsorin elektrik digjital të tipit AEL. TF.04-1 të firmës “Kohler” nga Turqia.

Vjollca Ajvazi akuzohet se në mënyrë të paligjshme i rekomandoi Sokolit lejimin e këtij tipi të njehsorit, ndërsa Drita Hamiti ngarkohet se i ndihmoi Ajvazit për këtë rekomandim.

Blerim Sokoli ngarkohet se  lejoi instalimin e këtij lloji të njehsorit duke ditur nga terreni problemet e shfaqura gjatë matjes nga këta njehsorë.

Në aktakuzë thuhet se jo vetëm Sokoli, por edhe të tjerët dinin për matjet e gabuara të këtyre njehsorëve.

“Të gjithë të akuzuarit dhe Ari Torosoglu dhe Ali Akkan me vetëdije të plotë kanë kontribuar për të vënë në qarkullim këtë tip të njehsorit dhe duke dështuar në funksionimin konform standardeve minimale të kërkuara kanë mashtruar blerësit në rastin konkret konsumatorët e Kosovës duke u shkaktuar dëm të konsiderueshëm material,” shpjegon aktakuza.

Ndaj këtij rasti, dje në seancën e Kuvendit të Kosovës, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë u përball me pyetjet e deputetëve se çka është ndërmarrë deri më tani që të ndriçohet ky rast.

Në maj të vitit 2015 në Emisionin “Jeta në Kosovë” u diskutua për hetimet rreth njehsorëve të markës “Kohler”.