Gjykimi për narkotikë | Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Mbjelljen e Bimëve të Kanabisit

Seanca e gjykimit të Ruzhdi Ademit për prodhim dhe përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotrope nuk u zhvillua ngase mbrojtja nuk është pajisur me shkresat e lëndës.

Edhe kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini teksa prezantoi gjyqtarët që janë pjesë e tij, konstatoi se gjyqtarja Alltene Murseli ka qenë më herët e përfshirë në procedurat e hetimeve për këtë rast.

Selman Bogiqi, avokati i Ruzhdi Ademit deklaroi se ai dhe i mbrojturi prej tij nuk janë pajisur me kohë me shkresat e lëndës dhe për këtë arsye në seancën fillestare nuk mund të deklarohen rreth fajësisë.

Kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini, e ndërpreu pastaj seancën dhe e shtyri më 21 shtator.

Ruzhdi Ademi akuzohet se pa autorizim ka kultivuar bimë narkotike të llojit marijuanë.

Sipas aktakuzës, në tetor të vitit 2011 gjatë kontrollit policia ka gjetur në oborrin e Ademit pesë bimë narkotike kanabisi në gjatësinë dy metra, të kultivuara me kujdes.

Te shtëpia e të akuzuarit policia kishte gjetur edhe një qese me marijuanë me peshë 125 gramë.

KALLXO.com ka shkruar edhe për gjykime tjera në lidhje me narkotikët. Këto shkrime mund t’i lexoni këtu.