Gjykimi për ndërtimin pa leje

Gjykimi për Mbindërtimin në Banesat e Komunës

Në gjykimin për mbindërtimin në kompleksin banesor numër pesë të Komunës së Drenasit, për të cilin po akuzohen, ndërtuesi i tij, njëri nga banorët dhe dy zyrtarë komunalë, një ekspert i ndërtimtarisë do të vlerësojë nëse mbindërtimi paraqiste rrezik.

Kështu vendosi trupi gjykues në procesin ku akuzohen Izet Kukaj, Hyrije Xhemajlaj-Thaçi, Halim Vrellaku dhe Musli Ademi.

Gjatë seancës, Arif Hasi, avokati i Izet Kukajt kërkoi ekspertizë financiare që të kuptohet se sa ka kushtuar mbindërtimi në objektin banesor të komunës dhe sa ka fituar prej tij i akuzuari.

“Ne propozojmë të kemi një ekspertizë financiare që të jetë me e qartë edhe për të mbrojturin tim e edhe për prokurorinë e gjykatën në përgjegjësi që të dihet se sa kanë kushtuar këto banesa dhe se sa janë shitur”, propozoi Hasi.

Aktakuza e ngarkon Izet Kukajn se nga mbindërtimi ka ndarë 14 banesa, 13 nga të cilat i ka shitur.

Prokuroria në seancë e kundërshtoi ekspertizën financiare.

“Nuk e shohim të arsyeshme që të nxirret ekspertizë financiare pasi që konsiderojmë se kjo mbulohet nëpërmjet pasqyrave bankare sepse blerësit [e banesave të mbindërtimit] kanë paguar mjetet nëpërmes llogarive bankare” tha përfaqësuesi i prokurorisë.

Trupi gjykues refuzoi propozimin e avokatit Hasi, ndërsa vendosi ta ndërpresë seancën derisa të raportojë eksperti i ndërtimtarisë.

Sipas aktakuzës, Izet Kukaj, pronari i kompanisë “Elita-A” gjatë qershorit të vitit 2013 në bllokun banesor numër V të Komunës së Drenasit pa leje dhe në mënyrë të kundërligjshme ndërtoi një kat në nënkulm me gjithsej 14 banesa që kishin sipërfaqe 1800 metra katrorë.

Aktakuza precizon se 13 nga këto banesa Izet Kukaj i ka shitur në shumën prej 252 mijë eurove, ndërsa njërën nga to e ka ndalur për vete.

Hyrije Xhemajlaj-Thaçi që në periudhën kur akuzohet ishte drejtoreshë e Inspektoratit Komunal të Drenasit dhe Halim Vrellaku që kryente detyrën e shefit të Inspektoratit ngarkohen se nuk vepruan për të parandaluar ndërtimin pa leje

Sipas aktakuzës, njërën nga banesat e mbindërtimit ilegal në objektin banesor të Drenasit e bleu vëllai i të akuzuarës  Hyrije Xhemajlaj-Thaçi që në atë kohë udhëhiqte Drejtorinë e Inspektimit.

E akuzuara Hyrije Xhemajlaj-Thaçi  pretendon se ka shkresa të dokumentuara të cilat dëshmojnë se ajo kishte ndërmarrë masa për parandalimin e këtij ndërtimi me ç’rast në seancat e radhës para trupit gjykues do të paraqes këto prova me të cilat pretendon që do të dëshmojë edhe pafajësinë e saj sa i përket kësaj akuze.

Musli Ademi njëri nga katër të akuzuarit për ndërtimin pa leje në objektin banesor të Komunës së Drenasit në seancën e shqyrtimit fillestar i kishte arsyetuar veprimet e tij.

Musliu para trupit gjykues kishte deklaruar “Të gjitha veprimet i kam marrë pa kurrfarë interesi vetëm që të shpëtohen këto familje dhe unë sot jam në bankën e të akuzuarit”

Ai po ashtu i kishte thënë gjykatës se ish-kryetari i Drenasit Nexhat Demaku dhe zyrtarë tjerë komunalë u kishin premtuar dhënien e lejes dhe pastaj ata i kishin nisur punimet.

http://kallxo.com/gjykimi-per-ndertimin-pa-leje-ne-drenas/