Gjykata Themelore e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Largim nga Puna në Qendrën e Kompetencës

Në këtë proces gjyqësor Halim Hoti, Hanë Bytyqi e Nazim Zogaj akuzohen se i larguan nga puna disa mësimdhënës, duke punësuar në vend të tyre persona tjerë.

“Në bashkëkryerje në cilësinë e personave zyrtarë si anëtarë të panelit intervistues lidhur me zgjedhjen e mësimdhënësve të Shkollës së Mesme Profesionale Qendra e Kompetencës në Malishevë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke përfituar për të tjerët dhe duke u shkaktuar dëm të dëmtuarve,” thuhet në aktakuzë.

Të dëmtuar në këtë gjykim janë Gazmend Kryeziu, Avni Morina, Besnik Gegaj, Mustafë Krasniqi, Fatmir Morina, Shpëtim Hoti dhe Dashurie Kryeziu.

Aktakuza shpjegon se si u dëmtuan këta 7 mësimdhënës.

“Pas procedurave të përzgjedhjes së mësimdhënësve këta i largojnë nga puna në mënyrë të kundërligjshme dhe në vendin e tyre i sjellin persona të tjerë me të cilat veprime si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar,” shpjegon aktakuza.

Në seancën e sotme, në fjalën e tij përfundimtare, Prokurori Agron Matjani kërkoi që 3 të akuzuarit të shpallen fajtorë.

“Propozoj që të akuzuarit Halim Hoti, Hana Bytyqi dhe Nazmi Zogaj të shpallen fajtorë që në bashkëkryerje kanë kryer vepër penale keqpërdorim i detyrës zyrtare,” kërkoi prokurori Agron Matjani.

Mbrojtësit e Halim Hotit, Hanë Bytyqit dhe Nazim Zogajt thanë se me asnjë provë nuk është vërtetuar se të mbrojturit e tyre kanë keqpërdorur detyrën.

“Me asnjë provë të propozuar të prokurorit publik nga aktakuza e tij nuk mund të vërtetohet asnjë element qenësor i veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit, e aq më pak formimi i figurës së veprës penale në fjalë,” tha avokati Ramadan Paçarizi.

Seanca e ardhshme është caktuar për më 22 prill, kur do të shpallet aktgjykimi.

Proceset gjyqësore në lidhje me largimet nga puna të mësimdhënësve në malishevë, KAKLLXO.com i ndoqi edhe më herët.

http://kallxo.com/fillojne-te-shqyrtohen-padite-e-arsimtareve-te-larguar-te-malisheves/

http://kallxo.com/19-profesore-mbesin-pa-paga-ne-qendren-e-kompetences-se-malisheves/