Gjykata në Mitrovicë | Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Kontrabandë me Naftë nga Serbia

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ishte paraparë të mbahej seanca e shqyrtimit gjyqësor kundër të akuzuarve për krim të organizuar dhe vepra të tjera penale.

Kurse mungesa e dy të akuzuarve Agron dhe Gentrit Zymeri, bëri që seanca të shtyhej.

Gjyqtari Beqir Halili tha se të akuzuarit kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt po se mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Ndaj të njejtëve gjykata do të lëshojë urdhërarrest.

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon Besim Zeqirin dhe Ismet Zeqirin së bashku me të pandehurin Milan Radisavleviq dhe Aleksander Rakiçeviq se në fillim të vitit 2012 kanë themeluar grupin kriminal me qëllim të përfitmit të dobisë pasurore financiare.

Sipas prokurorisë, këta të akuzuar nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut kanë sjellë në mënyrë ilegale në vazhdimësi mallra të kontrabanduara si derivate të naftës, vajra motorike etj.

Në aktakuzë thuhet se në periudhën kohore qershore – dhjetor 2014 të njëjtit me të gjithë pjesëtarët e grupit nga Serbia në Kosovë kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës, 2 ngarkesave me vaj hidrol dhe 3 ngarkesave me nitrotretës.

Sipas aktakuzës, këto mallra më pas janë shperndarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës me qëllim që të akuzuarit vetes apo personit të tjetër t’i sjellin dobi pasurore, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore në shumën prej 30.000 eurove.

Për këto veprime të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal, lidhur me veprat penale kontrabandim i mallrave, tregtia e ndaluar dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Muzliukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu, Dukagjin Latifi, Besnik Istrefi dhe Azem Islami.

Po ashtu edhe të pandehurit Xhevat Spahija, Shkëlqim Jusaj, Selami Morina, Sabri Hasani, Burim Hasani, Nexhat Mazreku, Demë Lokaj, Alban Nikçi, Fadil Çollaku dhe Albion Lokaj akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizim të grupit kriminal lidhur me veprat penale: Kontrabandim i mallrave dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Gjithashtu gjatë kontollimit të shtëpive të pandehurve Agron dhe Gentrit Zymeri, Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Azem Islami, Fadil Çollaku, Demë Lokaj dhe Alban Nikçi policia ka gjetur dhe ka konfiskuar armë.

Me këtë këta të akuzuar kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.

Ndërsa seanca e radhës është caktuar për datën 28 prill 2018.