Gjykimi për dëmtimin financiar të QKUK-së | Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Dëmtimin e QKUK-së në Vlerën 59 Mijë Euro

Një udhëtim zyrtar për këshillim në Luksemburg, bëri që seanca ndaj të akuzuarit për shpërdorim të detyrës zyrtare, Osman Vishaj të shtyhet për 25 korrik.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti tha se me anë të një parashtrese është njoftuar nga avokati, Bajram Tmava se i mbrojturi  i tij është për një vizitë për këshillim në Luksemburg.

Osman Vishaj akuzohet nga prokuroria se në cilësinë e menaxherit në Zyrën e Prokurimit në QKUK, më 28 korrik 2007 ka keqpërdor pozitën e tij zyrtare.

Sipas aktakuzës,  pas përfundimit të procedurës së tenderimit për “Adaptimin e Nënkulmit të Klinikës Infektive në QKUK”, ku ishte shpallur fituese kompania “P&I Elezaj” me çmim prej 406 mijë eurove me 3 % zbritje, ka vepruar në kundërshtim me ligjin e prokurimit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në këtë rast  është kërkuar nga tenderuesit që të ofrojnë çmimet e tyre me të gjitha taksat dhe obligimet, ndërsa i pandehuri me rastin e lidhjes së kontratës me kompaninë “P&I Elezaj”ka shtuar shumën prej 15 % në emër të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar edhe pse shuma për këtë tatim ishte përfshirë në çmimin prej 406 mijë eurove.

Prokuroria pretendon se Vishaj me këtë veprim ka ngritur çmimin  e ofertës së “P&i Elezaj” në shumën prej 453 mijë eurove, duke ia mundësuar kësaj kompanie përfitimin prej 59 mijë e 124 eurove.