Gjykimi për dëmin ndaj "Kosova Thëngjillit" | Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Dëmtimin e ‘Kosova Thëngjillit’ për 130 Mijë Euro

Për shkak të përbërjes jo të plotë të trupit gjykues është shtyrë gjykimi për keqpërdorim detyre i Tahir Zenelit, kryetarit të Bordit të Shoqërisë Aksionare “Kosova Thëngjilli”.

Kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi, bëri të ditur se në mungesë të anëtarit të tretë, gjykimi nuk mund të mbahet.

“Aktualisht nuk ka anëtarë të tretë”, tha Ibrahimi, derisa më herët pjesë e trupit gjykues ishte gjyqtarja Nora Bllaca- Dula, e cila tanimë ka kaluar në Gjykatën e Apelit.

Në këtë proces gjyqësor, Zeneli ngarkohet për veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit.

Prokuroria ngarkon të akuzuarin se në pozitën e menaxherit, njëkohësisht edhe të kryetarit të Bordit të Shoqërisë Aksionare “Kosova Thëngjilli”  më 17 mars të vitit 2012  ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Pollogu” në kundërshtim me vendimin e Bordit të Sh. A. “Kosova Thëngjilli”.

Sipas aktakuzës, lidhja e kontratës ka qenë në kundërshtim me vendimin e bordit pasi që Zeneli nuk i ka përmbushur 6 pika të cilat ishin kusht për realizimin e lidhjes së kontratës.

Kështu, duke vepruar në kundërshtim me vendimin e bordit të Sh.A. “Kosova Thëngjilli”, ai i ka tejkaluar kompetencat e tij, ndërsa prokuroria pretendon se i shkaktoi humbje materiale “Kosova Thëngjillit” në vlerë të përgjithshme prej 130.971,41 eurove.