Gjykimi për dëmtimin e KEK-ut | Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Dëmtimin e KEK-ut për 5,115 Euro

Procesi gjyqësor ndaj zyrtarëve të KEK- ut, Vehbi Dragusha, Ejup Grajçevci dhe Fahri Fejzullahu ka filluar rishtas për shkak të ndërrimit të kryetarit të trupit gjykues.

Të akuzuarit për shkaktimin e dëmit në vlerë prej 5.115 euro ndaj KEK- ut, u deklaruan sërish të pafajshëm.

Më pas gjatë fjalës hyrëse prokurorja Merrushe Llugiqi qëndroi pranë fjalës hyrëse të dhënë në gjykimin e kaluar, saktësisht më 19 maj të vitit 2015, duke theksuar se në bazë të provave do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve.

E pranishme në sallën e gjykimit ishte edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar KEK- ut, Shukrie Miftari, e cila në fjalën hyrëse të saj parashtroi përsëri kërkesën pasurore- juridike për dëmin që pretendohet t’i kenë shkaktuar korporatës të akuzuarit.

“Edhe njëherë parashtroj kërkesë pasurore- juridike në shumë prej 5115.6 euro të cilën shumë kërkojmë që ta kompensojnë tani të akuzuarit”, tha Miftari.

Pas saj, fjalën e morën të akuzuarit, të cilët patën vërejtje për sasinë e kilogramëve të ngjitësit për shirita të thëngjillit për të cilin prokuroria i akuzon se e kanë marrë, duke pretenduar se kanë qenë më pak se 245 kilogramë.

“Me provat që do të administrohen do të vërtetohet se unë nuk e kam kryer këtë vepër penale. Mungesën e ngjitësit e ka lajmëruar i akuzuari Ejup Grajçevci dhe atë si vjedhje. Në kohën kur ka ardhë te mungesa e ngjitësit unë kam qenë dhënës i materialit, e jo depoist siç thuhet në aktakuzë”, tha i akuzuari Dragusha.

Ai e propozoi një dëshmitar për ta treguar sasinë e vërtetë të munguar të këtij ngjitësi.

“Lidhur me sasinë nuk e di si ka ardhë deri tek 245 kilogramë, propozoj që në cilësinë e dëshmitarit të merret në pyetje Ismet Thaçi lidhur me çmimin dhe sasinë”, shtoi ai.

Ndërkaq, i akuzuari Ejup Grajçevci propozoi që si provë të administrohet elaborati i komisionit për pranim- dorëzim të mallit, duke pretenduar se aty kanë qenë 210 kilogramë, e jo 245.

I akuzuari i tretë, Fahri Fejzullahu tha se “i ka konvenu dikujt me na pru në gjykata”.

“Roja ka qenë 20 metra larg derës kur është marrë ky ngjitës, dera nuk është thy, është çelë, për fat të keq unë i kam mbajtë çelësat. Ma së pari 240 killa aty nuk kanë qenë hiq. Unë kam ardhë këtu vetëm pse e kam pasë çelësin”, shtoi Fejzullahu.

Meqenëse në gjykimin e kaluar janë dëgjuar 12 dëshmitarë, me propozimet e palëve në procedurë, kryetari i trupit gjykues, Vehbi Kashtanjeva, mori vendim që deklaratat e tyre të konstatohen si të lexuara.

Seanca e radhës u caktua për muajin qershor.

Sipas prokurorisë, Vehbi Dragusha, Ejup Grajçevci po akuzohen se derisa ishin në kryerje të detyrës së tyre zyrtare në KEK, si depozitues të materialit në kuadër të Depos së Materialit për Servisim të Divizionit të Thëngjillit, së bashku me Fahri Fejzullahun si dhënës i materialit, kanë marrë 245 kilogramë ngjitës për shirita të thëngjillit, duke i shkaktuar kështu Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dëm në shumën prej 5.115 euro.