Foto-ilustrim

Gjykimi i të Akuzuarve për Kontrabandim me Emigrantë

Prokurori tha se në bazë të provave të administruara në këtë gjykim dhe në bazë të deklaratave të të pandehurve, të cilët, sipas tij, edhe pse tentuan që të shmangen nga deklarimi i të vërtetës, prapë se prapë dëshmuan veprimet inkriminuese.

Gjendja e tillë faktike u vërtetua edhe nga vetë deklaratat e të pandehurve të cilët shkuan të Turqi, atje u takuan me Lulen dhe pas dy ditësh e pandehura Nafije u kthye nga Stambolli për në Prishtinë dhe me vete pati familjen turke, tha prokurori i çështjes.

“Andaj kërkoj nga Gjykata që të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe të njëjtit t’i ndëshkojë sipas ligjit”, tha prokurori Ilaz Beqiri.

Pasi që mbrojtësit e të akuzuarve nuk ishin të gatshëm për fjalën përfundimtare, trupi gjykues vendosi që atë ta paraqesin në seancën e radhës, e cila do të mbahet më 2 qershor.

Paraprakisht, gjatë seancës, dy të akuzuarit dhanë dëshminë e tyre lidhur me ngjarjen për të cilën akuzohen.

Reshat Sela tha se në Turqi kishte shkuar ta takonte ish të dashurën, “të cilën e kishte marrë malli për mua pasi që nuk më kishte parë gati 10 vite e jo për të kontrabanduar njerëz siç pretendon Prokuroria”.

“Atje shkova me të dashurën time Nafijen dhe shoqen e saj për të qëndruar disa ditë për pushime. Ato nuk ishin në dijeni për lidhjen time të mëparshme me Lulen“, tha i akuzuari teksa u përgjigjej pyetjeve të avokatit.

Po ashtu, ai tregoi se si e takoi familjen turke për të cilën po dyshohet se deshi t’i ndihmonte që ta dërgonte drejt vendeve të BE-së.

“Ditën kur Nafija dhe shoqja e saj po largoheshin nga Turqia drejt Kosovës, Lulja ish e dashura ime, erdhi tek unë dhe me kërkoi që t’i them Nafijes që t’i qëndrojnë pranë familjes turke në aeroport pasi që nuk dinë se si të gjinden. Kjo ishte e gjitha”, tha Sela, i cili u është përgjigjur edhe pyetjeve të prokurorit.

Ndërsa Nafije Tirana-Gjokiq tha se nuk qëndron pranë deklaratave të dhëna në Polici e as atyre në Prokurori, “sepse të njëjtit ushtruan presion ndaj meje dhe nuk e di se si as se çfarë kam deklaruar atje”.

“Unë në Turqi shkova për të qëndruar disa ditë në pushime me Reshatin dhe shoqen time dhe nuk isha në dijeni për asgjë tjetër. Në ditën kur po niseshim për në Kosovë erdhi Lulja dhe kërkoi nga ne që ta shoqëronim një grua turke me fëmijët e saj në aeroport pasi që nuk dinin të gjendeshin. Lulen nuk e kam takuar më parë e as që e kam njohur. Kur arritëm në Prishtinë u arrestuam“, tha e akuzuara.

Reshat Sela dhe Nafije Tirana-Gjokiq akuzohen nga Prokuroria se në bashkëkryerje më qëllim të fitimit të kundërligjshëm janë marrë me kontrabandë me emigrantë më qëllim të dërgimit në shtetet perëndimore, më çrast kanë kryer veprën penale kontrabandim me emigrantë.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.

http://kallxo.com/shtetasja-turke-lejomeni-te-kthehem-ne-vendin-tim/