Gjykimi i të akuzuarve për detyrim të personave për të kërkuar lëmoshë - Foto: KALLXO.com

Gjykimi i të Akuzuarve për Detyrim të Personave për të Kërkuar Lëmoshë

Dy persona po akuzohen nga prokuroria nën dyshimin se kanë kryer veprën penale trafikim me qenie njerëzore, duke detyruar persona të caktuar që të kërkonin lëmoshë me qëllim që atyre t’u sjellin përfitime materiale.

Pasi që në këtë çështje është bërë ndërrimi i trupit gjykues, kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti me pajtimin e palëve në procedurë bëri evidentimin e procesverbaleve të mbajtura gjatë seancave të kaluara duke i konsideruar ato si të lexuara.

Në këtë seancë ishte planifikuar që të vazhdohej me marrjen në pyetje të të akuzuarve mirëpo mbrojtësi i të akuzuarit R.B., avokati Haxhi Millaku i kërkoi trupit gjykues që seancën ta shtynte për një ditë tjetër me arsyetimin se i duhej kohë që të përgatitej për marrjen në pyetje.

“Ftesat i kemi marrë shumë me kohë por nuk kam menduar që do të kalojmë kaq shpejt deri në këtë stad. Nëse keni mirësinë që seancën e sotme ta shtymë dhe ta kemi procesverbalin e fundit sepse kemi nevojë të përgatitemi, ju kisha lutur për një ditë tjetër, kurrsesi me qëllim të prolongimit”, tha avokati Millaku.

Kërkesën e mbrojtësit nuk e kundërshtoi as prokurorja e rastit Javorka Perlinçeviq.

Trupi gjykues më pas e aprovoi kërkesën e avokatit dhe seancën e radhës e caktoi për muajin mars.

Sipas aktakuzës, i akuzuari R.B. që nga janari i vitit 2010 e deri në qershor të vitit 2013, duke bashkëvepruar bashkë me të akuzuarin SH.K., i kanë mbajtur nën kontroll, organizuar, strehuar, kërcënuar, rrahur dhe transportuar viktimat e këtij rasti B.K., SH.M. dhe A.H., duke i detyruar ata që të kërkojnë lëmoshë me qëllim që të dyshuarve t’u sjellin përfitime materiale në shuma të ndryshme të parave, për të cilat sipas viktimave është kuptuar që secili prej tyre ka qenë i obliguar që t’i dorëzojë të akuzuarve çdo ditë nga 10-15 euro varësisht prej kërkesës së të akuzuarve,

Në bazë të aktakuzës sa i përket organizimit të punëve dhe menaxhimit të të hollave është kujdesur i akuzuari SH.K.

Në qershor të vitit 2013 nga ana e policisë ishte ndaluar i akuzuari R.B., i cili kishte qenë me veturë duke u kthyer nga Mitrovica për në Prishtinë ku pretendohet se kishte shkuar për t’i marrë të dëmtuarit, të cilët ishte duke i kthyer nga Mitrovica.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari i parë R.B. duke u ndihmuar nga i akuzuari tjetër SH.K., ka pranuar çdo ditë shuma të ndryshme të parave nga ana e viktimave duke filluar nga 70 euro dhe po qe se viktimat nuk kanë mundur t’i sjellin shumën e caktuar të parave, atëherë ata janë rrahur nga ana e të akuzuarit R.B., dhe më pas janë përballur edhe me dënime si mosngrënie e bukës e mospirje e cigares.

Dy të akuzuarit kanë qëndruar në paraburgim që nga data 30 qershor 2013 e deri me aktvendimin e datës 6 qershor 2014 me të cilin Gjykata të akuzuarve R.B. dhe SH.K. kishte vendosur që t’ua ndërpres masën e paraburgimit dhe këtë masë ua kishte zëvendësuar me arrest shtëpiak.

R.B. e SH.K., në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me datën 17 janar 2014 janë deklaruar të pafajshëm në lidhje me veprën penale e cila u vihet në barrë.