Gjykimi i Hysni Hoxhës për Tenderin e KOSTT-it

Në gjykimin ku ish-kreu i OShP-së Hysni Hoxha po akuzohet për shpërdorim detyre dëshmoi Vegim Gashi.

Gashi, ish-kandidat i AKR-së për kryetar të Prishtinës në vitin 2009 dhe pronar i kompanisë “Project Engineering” ishte ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit të cilin e drejtonte i akuzuari Hoxha në lidhje me një tender të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).

Sipas aktakuzës, Hoxha me arsyen se ankesat e kompanisë së Gashit dhe konsorciumeve “Caraglio SRL” dhe NTSh “Electra” tashmë janë gjykuar, nuk i ka shqyrtuar ato fare.

Prokuroria pretendon se Hoxha si kryetar i OShP-së, i tejkaloi kompetencat e tij ligjore ashtu që më 3 tetor 2014  dhe 9 tetor 2014 në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe Rregulloren e Punës së OShP-së  me  konkluzionin se është “res judicata”, pa i shqyrtuar i ka refuzuar ankesat e disa operatorëve ekonomikë të datës 2 tetor 2014.

tenderi1

Bëhet fjalë për ankesat e konzorciumeve “Caraglio SRL” dhe NTSh “Electra” dhe “C&GD.O.O & Komtel Project Engineering”, të ushtruara kundër vendimit të autoritetit kontraktues KOSTT lidhur me aktivitetin e prokurimit “Instalimi i Grupeve Matëse në Kufirin në mes të KOSTT (KEK) OSSh,  edhe pse për këtë ankesë kompetent për vendosje sipas aktakuzës ishte paneli shqyrtues i OShP-së në përbërje prej 5 anëtarëve.

Përveç Vegim Gashit në seancën e sotme aktualisht është duke dëshmuar eksperti i OShP-së Zeqir Fetoshi.

Lidhur me këtë aktivitet prokurimi të KOSTT-it fillimisht ishte raportuar në KALLXO.com, ndërsa   emisioni “Jeta në Kosovë”  kishte bërë një emision në tetor të vitit të kaluar ku të ftuar ishin drejtori i prokurimit në KEDS, Hysni Hoxha si kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) dhe Lutfi Gashi përfaqësues i “Electra-s”.

http://kallxo.com/kostt-paguan-400-mije-euro-me-shume-per-nje-tender/

Vlera e këtij aktiviteti të prokurimit ishte 2,327,240 euro.

KOSTT-i kishte nisur më 2012 projektin e instalimit të grupeve matëse në kufirin mes KOSTT-it, Korporatës Energjetike dhe OSSh-së që është korporata publike e shpërndarjes së energjisë në Shqipërisë.

Prej 2012-ës e deri në shtator të vitit 2014 ky tender është anuluar katër herë dhe është përcjellë me akuza për parregullsi.

Dy tenderë janë anuluar me arsyetimin e KOSTT-it se ka pasur më pak se dy oferta të përgjegjshme, i treti është anuluar me kërkesë të Agjencisë Kundër Korrupsion, ndërsa herën e katërt është anuluar me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

KOSTT-i së fundi më 22 shtator të vitit 2014 shpalli fitues konzorciumin NP “Monten& G3 Inxhinjering” përfaqësues i së cilës është Nexhmi Kastrati. Kjo kompani ofertoi me 2 milionë e 327 mijë euro për kryerjen e kësaj pune.

Ndërsa më 4 nëntor 2014 është nënshkruar kontrata mes KOSTT-it dhe këtij konzorciumi.

Prokuroria i nisi hetimet për këtë tender të KOSTT-it në prill të vitit të kaluar.

Prokuroria Heton Tenderin Milionësh të KOSTT-it

Hysni Hoxha në qershor të këtij viti është deklaruar i pafajshëm në lidhje me akuzën për shpërdorim detyre.

http://kallxo.com/hysni-hoxha-deklarohet-pafajshem/