Gjykimi i Burrit për Vrasjen e Gruas në Gjermani në Vitin 1995

Në gjykimin e Zenel Hajrizit për vrasje të gruas së tij Sabrije Hajrizit në shtetin e Gjermanisë në vitin 1995, eksperti i psikiatrisë Fahri Drevinja paraqiti ekspertizën e tij për të akuzuarin.

Sipas ekspertizës së Drevinjës te Hajrizi nuk ishte verifikuar ndonjë sëmundje apo çrregullim mendor i përhershëm ose i përkohshëm.

Por në ekspertizë Drevinja kishte përshkruar gjendjen e Hajrizit me disponim të ndryshuar depresiv dhe me ngarkesë faji e pendesë për veprën e kryer.

Prokurori Ismet Ujkani e pyeti ekspertin se ku e kishte bazuar ekspertizën e tij.

“Ne kemi marrë parasysh karakteristikat e tij, ngarkesat emocionale për një kohë të gjatë dhe raportet me të ndjerën. Përveç kësaj, ne kemi marrë parasysh edhe të gjitha shkresat e lëndës të cilat na ka marrë mendja që na ndihmojnë në ekzaminimin e tillë si dhe mendimet e vëllait të së ndjerës Mehdi Dervishi dhe djalit të saj Keqë Hajrizaj “, u përgjigj eksperti.

Drevinja më tutje tha se Hajrizi në momentin kur kishte qëlluar ndaj gruas së tij kishte vepruar në gjendje mendore të zvogëluar esencialisht.

Pas paraqitjes së ekspertizës së Drevinjës, prokuroria dha fjalën përfundimtare.

Prokurori Ismet Ujkani tha se qëndron pas aktakuzës, ndërsa deklaroi se gjykimi ka vërtetuar se Hajrizaj ka vrarë gruan e tij.

“Mbetem në tërësi pranë aktakuzës sa i përket veprës penale vrasje, sepse me të gjitha provat e nxjerra, e po ashtu edhe nga mbrojtja e të pandehurit të dhënë gjatë hetuesisë rezulton se i akuzuari si në dispozitiv të aktakuzës ka privuar nga jeta tani të ndjerën me çka edhe ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet”.

Prokurori e kundërshtoi ekspertizën. Tha se se nuk janë të argumentuara dhe të bazuara faktet lidhur me rastin konkret, si dhe se mendimi i ekspertit gjatë shqyrtimit gjyqësor ishte konfuz dhe i paargumentuar.

Mahmut Halimi, avokati i Zenel Hajrizit tha se nuk është i përgatitur sot për ta dhënë fjalën përfundimtare, pasi kjo fjalë deklaroi se lidhet me ekspertizën e paraqitur nga eksperti Drevinja.

Seanca e radhës u caktua më 21 dhjetor.

Aktakuza ndaj Zenel Hajrizit është ngritur më 31 gusht 2007.

Në aktakuzë tregohet që pas një konflikti në lidhje me jetën private, gruaja e të akuzuarit kishte dalë nga shtëpia, ndërsa i akuzuari i ishte vënë pas për ta ndaluar, duke e lutur që të kthehet në shtëpi, t’u kthehet fëmijëve.

Sipas aktakuzës pasi që nuk arriti ta bindë që të kthehet, Zenel Hajrizi e qëlloi katër herë gruan e tij.

“Pas një dueli verbal dhe konflikti me armë zjarri- pistoletë shkrep 4 herë në drejtim të viktimës me ç’rast e godet në pjesën e gjoksit duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse nga të cilat viktima vdes,  ndërsa i pandehuri pas kryerjes së kësaj vepreje ik në drejtim të panjohur”, thuhet në aktakuzë.