Gjykimet që u zhvilluan me dyer të mbyllura

Në bazë të nenit 295 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, qysh nga fillimi e deri në përfundim të një shqyrtimi gjyqësor, gjyqtari i vetëm gjykues ose trupi gjykues me propozim të palëve në procedurë apo sipas detyrës zyrtare, gjithnjë pas dëgjimit të palëve, mund të vendosë që të përjashtojë publikun gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor ose vetëm për një pjesë të caktuar, kur kjo konsiderohet se është e nevojshme.

Sipas Kodit, përjashtimi i publikut nga seancat gjyqësore mund të bëhet në rastet kur kemi të bëjmë për ruajtjen e fshehtësisë zyrtare, ruajtjen e informacionit të fshehtë i cili do të rrezikohej nga shqyrtimi i hapur, ruajtjen e rendit dhe respektimin e ligjit, pastaj mbrojtjen e jetës personale ose familjare të të akuzuarit, të dëmtuarit ose të pjesëmarrësve të tjerë në procedurë, mbrojtjen e interesave të fëmijëve, ose mbrojtjen e të dëmtuarve, dëshmitarëve bashkëpunues ose dëshmitarëve.

Vendimin për mbajtjen e një shqyrtimi gjyqësor të mbyllur e merr gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues me aktvendim, i cili duhet të arsyetohet dhe të shpallet publikisht.

Ndërsa në shqyrtimet gjyqësore të cilat janë të hapura për publikun sipas KPPRK-së, neni 301 thotë se fotografimi, filmimi, regjistrimi televiziv dhe regjistrime të tjera përpos regjistrimit zyrtar të shqyrtimit gjyqësor lejohen, përveç nëse gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues kufizon fotografimin, filmimin, regjistrimin televiziv ose regjistrimet tjera me aktvendim të arsyetuar me shkrim.

Në praktikën gjyqësore në Republikën e Kosovës, monitoruesit e KALLXO.com gjatë monitorimit të seancave gjyqësore shpeshherë kanë hasur në raste kur gjykata ka vendosur që disa seanca të mbyllen për publikun dhe mediat.

Arsyet për mbylljen e këtyre seancave kanë qenë të ndryshme, nga ato për të cilat është vendosur që të mbyllej i tërë shqyrtimi gjyqësor deri te raste në të cilat përjashtimi i mjeteve të informimit u bë vetëm për pjesë të caktuara të gjykimit.

Një rast i cili vlen të ceket, e i cili që nga fillimi është duke u gjykuar me dyer të mbyllura për mediat dhe publikun, është ai i ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit Salih Mekaj.

Salih Mekaj është duke u gjykuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës nën akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gjyqtari Shashivar Hoti, me 20 tetor të vitit 2016 kishte vendosur që seanca të mbyllej për publikun me arsyetimin e mbrojtjes së jetës personale të të akuzuarve, dëmtuarve dhe pjesëmarrësve të tjerë në këtë procedurë.

Mbylljen e seancës në rastin e ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, e kishte kundërshtuar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

http://kallxo.com/agk-reagon-pas-vazhdimit-te-gjykimit-te-mekajt-ne-seance-te-mbyllur/

Sipas Asociacionit të Gazetarëve, arsyetimi i gjyqtarit të rastit se seancat janë mbyllur krejtësisht për shkak të mbrojtjes së jetës personale të të akuzuarve, dëmtuarve dhe pjesëmarrësve të tjerë në procedurë nuk është i qëndrueshëm. AGK kishte kërkuar që ky rast të rihapej për opinionin, me kërkesën që ky shqyrtim të mbetej i mbyllur vetëm për një pjesë porse jo i gjithë procesi gjyqësor.

Një rast tjetër i cili po mbahet i mbyllur për publikun dhe mediat është ai i dhjetë personave të cilët akuzohen se i takonin organizatës “Syri i Popullit”.

Të akuzuarit Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, të cilët nga Prokuroria Speciale ngarkohen për veprat penale hakmarrje në ndihmë, dhunim, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

http://kallxo.com/mbyllet-seanca-e-te-akuzuarve-te-syrit-te-popullit/

Me fillim të këtij shqyrtimi gjyqësor, në seancën fillestare gjyqtarja e këtij rasti Naime Jashanica kishte kërkuar nga prokurori i çështjes Sylë Hoxha që të deklarohej nëse i njëjti kërkonte që kjo seancë të mbyllet për publikun dhe mediat. Kësaj pyetje prokurori Hoxha i ishte përgjigjur pozitivisht duke kërkuar që shqyrtimi gjyqësor të mbyllej për publikun dhe mediat.

Ndonëse arsyetimi i mbylljes u mor fakti se njëri nga të akuzuarit akuzohet për dhunim, vetë avokati i të njëjtit, gjatë seancës fillestare e kishte kundërshtuar këtë vendim pasi që sipas avokatit i mbrojturi i tij ndihej plotësisht  i pafajshëm në lidhje me aktakuzën e cila i vihej në barrë.

http://kallxo.com/avokati-gjykimi-per-syrin-e-popullit-nuk-mund-te-ndodhe-prapa-perdeve/

Mbylljen e këtij gjykimi për publikun dhe mediat e kishin kundërshtuar edhe mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë si dhe familjarët e të akuzuarve, të cilët vendimin e gjykatës për mbylljen e seancës e konsideruan si turp.

Por, megjithatë, edhe pas këtyre kundërshtimeve, gjyqtarja kishte vendosur që seanca të mbahej me dyer të mbyllura për publikun dhe mediat.

Përpos këtyre rasteve kur gjykata ka vendosur që  të ndalohej pjesëmarrja e publikut dhe medieve gjatë një shqyrtimi gjyqësor, kemi hasur edhe në raste kur gjykata vendos që të përjashtohet pjesëmarrja e publikut dhe medieve vetëm për një pjesë të caktuar të shqyrtimit.

Siç është rasti “Medicus”, në të cilin trupi gjykues kishte marrë vendim që për shkak të dëshmisë së një dëshmitari të mbrojtur, seanca të zhvillohej pa praninë e mediave dhe publikut për shkak të sigurisë së dëshmitarit.

 

http://kallxo.com/edhe-sot-mbyllur-gjykimi-lutfi-dervishit/

Njëjtë ishte vepruar edhe në gjykimin për terrorizëm, në seancën gjatë së cilës kishte dëshmuar një dëshmitar i mbrojtur, seanca ishte mbyllur për ta ruajtur identitetin e atij dëshmitari.

http://kallxo.com/mbyllet-seanca-e-terrorizmit/

Në një rast tjetër gjykata ka vendosur që të përjashtojë publikun dhe mediat për arsye sepse gjatë seancës do të shfaqeshin pamje të vrasjes së dy të rinjve.

Arsyetimi i trupit gjykues për përjashtimin e publikut ishte se pamjet që do të transmetoheshin janë të ndjeshme.

http://kallxo.com/babai-nuk-mund-ta-shohe-video-incizimin-e-vrasjes-se-te-birit/

Edhe në gjykimin për “gazin lotsjellës” në rastin ndaj deputetëve të VV-së, në një nga seancat e këtij shqyrtimi gjyqësor, gazetarët ishin njoftuar nga policia se seanca do të ishte e mbyllur.

http://kallxo.com/mbyllet-seanca-ndaj-deputeteve-per-lotsjellesin/

Përveç këtyre rasteve për të cilat përjashtimi i publikut është bërë për shkak të sigurisë së ndonjë dëshmitari të mbrojtur apo për shkak të pamjeve të ndjeshme, ka pasur raste kur trupi gjykues ka marrë vendim që të përjashtohej publiku dhe mediat edhe në mungesë të hapësirës nëpër salla të gjykatës.

http://kallxo.com/eulex-rasti-tokat-u-mbyll-per-media-shkaku-hapesires/

Është fjala për rastin “Toka”, ku të akuzuar janë 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla, të cilët akuzohen për krim të organizuar.

Gjyqtari i EULEX-it, Arcadius Sedek i kishte lutur mediat që të largoheshin nga salla, ndërsa ishte thënë se gjatë shqyrtimit kryesor seancat do të jenë publike dhe mediat do të lejohen të marrin pjesë, në arsyetimin për mbylljen e seancës ishte përmendur edhe mungesa e hapësirës.

Rasti tjetër është ai ‘Stenta’, ku të akuzuar janë 58 mjekë, punonjës të sistemit publik e privat shëndetësor dhe ish-ministri i Shëndetësisë.

Mediave u ishte kërkuar që të marrin pamje për vetëm një minutë dhe më pas iu ishte thënë ta lëshonin sallën. Këtë veprim gjykata e kishte arsyetuar me mungesën e vendeve në sallën e gjykimit.

http://kallxo.com/mbyllet-per-mediat-gjykimi-ne-rastin-stenta/

Gjatë monitorimit të seancave gjyqësore, monitoruesit e KALLXO.com kanë hasur edhe në raste të tjera gjatë të cilave gjykata kishte kufizuar në minuta filmimin e seancave gjyqësore.

Po në rastin “Toka”, për të cilën një herë ishte vendosur përjashtimi i mediave dhe publikut për shkak të mungesës së hapësirës, në këtë shqyrtim gjyqësor mediave në një rast u është kërkuar që fotografimet, xhirimet, ose incizimet të bëheshin vetëm në 15 minutat e parë të seancave me arsyetimin se palët kanë të drejtën e respektimit të jetës së tyre private.

http://kallxo.com/eulex-kufizon-mediat-ne-rastin-e-azem-syles/

Një rast tjetër është ai i ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Mujës.

Në këtë gjykim, Gjykata në Gjilan në një rast kishte ndaluar filmimin e fytyrave të të akuzuarve me arsyetimin se ata ende janë të pafajshëm deri në momentin që shpallet aktgjykimi dhe dëshmohet e kundërta.