Gjykatësja Ngujohet në Ashensor të Pallatit të Drejtësisë

Problemet në funksionimin e Pallatit të Drejtësisë nuk kanë të ndalur.

Një gjykatëse e Gjykatës së Apelit është ngujuar para pak çastesh në ashensorin e këtij pallati.

Lajmi është konfirmuar për KALLXO.com nga zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

Ai tha se ekipet e sigurimit të pallatit janë duke bërë përpjekje që ta nxjerrin gjykatësen nga ashensori.

Gjykatësja është nxjerrë nga ashensori pas gati gjysmë ore qëndrimi e ngujuar në ashensor, pas intervenimit të ekipit të zjarrfikësve.

Pas pak KALLXO.com do të sjellë pamje nga situata e krijuar gjatë kohës sa gjykatësja ishte e ngujuar në ashensor dhe pas daljes së saj.

Dy javë më parë, KALLXO.com ka raportuar se problemet e shumta me infrastrukturën e Pallatit të Drejtësisë, të ndërtuar me fondet e Bashkimit Evropian, kanë vënë në lëvizje edhe Zyrën e BE-së në Kosovë.