Aktivistët e VV-së në gjykatë për sulmin në Kuvend | Foto: KALLXO.com

Gjykatësi i Jep Vërejtje Tomë Gashit

Kryetari i trupit gjykues në rastin e sulmit ndaj ndërtesës së Kuvendit, Beqir Kalludra, i dha vërejtje Tomë Gashit, avokatit të Frashër Krasniqit, me arsyetimin se i ka cenuar autoritetin.

Kjo vërejtje u dha gjatë kohës kur Gashi po jepte fjalën e tij në seancën ndaj katër të akuzuarve për terrorizëm, në rastin e sulmit ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit të kaluar.

Avokati Gashi dëshironte të jepte një vërejtje ndërsa gjyqtari e udhëzonte që të jepte fjalën hyrëse.

Katër dëshmitarë do të dëshmojnë sot në gjykimin ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të akuzuar për sulmin në Kuvendin e Kosovës.

Të gjithë të akuzuarit për terrorizëm, në mesin e të cilëve edhe një deputet i Kuvendit të Kosovës i votuar në zgjedhjet e 11 qershorit, Frashër Krasniqi, refuzuan të ngriten në këmbë gjatë leximit të aktakuzës.

Të akuzuarit tjerë janë Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti.

Ata dyshohen për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që ka ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit të kaluar.

Lidhur me sulmin në Kuvendin e Kosovës, përpos të akuzuarve të tanishëm, të akuzuar ishin edhe Petrit Ademi, ndaj të cilit pushuan hetimet, si dhe Astrit Dehari, i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Pasi prokurori i rastit paraqiti disa fotografi të cilat tha se kanë ardhur nga SHBA dhe për të cilat tha se e qartësojnë sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit, avokati Gashi kërkoi që të ndërpritet seanca e sotme.

“Nuk mund të nuk mund të vazhdojmë sot sepse nuk mund të them diçka në fjalën time hyrse pa i pasur provat që i përmendi prokurori për të tentuat të vërtetojë fajësinë e klientit tim”, tha Gashi.

Por kërkesa e tij u refuzua nga kryetari i trupit gjykues.

Seanca është duke vazhduar.

KALLXO në vazhdimësi e ka përcjellë këtë rast në gjykatë. Dosjen e rastit mund ta lexoni në këtë link.