Gjykata Vendos për të Dyshuarin e Vrasjes në Babimovc

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.T, i cili dyshohet që të shtunën në mbrëmje vrau 35 vjeçarin me inicialet A. K.

Sipas njoftimit të gjykatës të pandehurit me inicialet F. T i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

“I pandehuri F.T dyshohet se me dt. 17.03.2018 rreth, në fshatin Babimovc, komuna e Obiliqit në firmën “Apetit Group”, në rrethana ende të pasqaruara e ka privuar nga jeta tani të ndjerin A.K, derisa i njëjti kishte qenë duke punuar”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Sipas njoftimit, i pandehuri ka shtënë me armë zjarri në pjesën e përparme në kraharor 35 vjeçarin.

Në njoftim thuhet se i pandehuri armën e kishte mbajtur në mënyrë të paautorizuar.

“ I pandehuri F. T kishte shtënë me armë zjarri të cilën e mbante në mënyrë të paautorizuar, e kishte goditur një herë në pjesën e përparme në kraharorë tani të ndjerin A.K dhe kishte ikur nga vendi i ngjarjes, me ç’ rast të njëjtit i kishte shkaktuar plagë të rënda trupore vdekjeprurëse dhe në QKUK në Prishtinë ishte konstatuar vdekja e tij”, thuhet më tutje në njoftim.

Gjykata sipas njoftimit ka konstatuar se ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendej i pandehuri në liri mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe kërkesa për  caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.T është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.

KALLXO.com ka shkruar në lidhje me vrasjen që ndodhi të shtunën në Babimovc.

http://kallxo.com/nje-arrestuar-per-vrasjen-ne-babimost/

http://kallxo.com/vrasje-ne-babimost/