Gjykata Vendos për Rastin e Vrasjes së Anëtarëve të Familjes Hajra

Gjykata Kushtetuese e Kosovës duke vendosur për njërin nga rastet më të përfolura  penale në Kosovë, ka refuzuar si të papranueshme kërkesën e Burim e Arsim Ramadanit, të dënuar për vrasjen e anëtarëve të familjes Hajra.

Burim e Arsim Ramadani ishin shpallur fajtorë në instancën e fundit dhe u dënuan me burg për shkak të vrasjes së anëtarëve të familjes Hajra.

Të pakënaqur me vendimin përfundimtar ndaj tyre, parashtruesit e kërkesës iu drejtuan Gjykatës Themelore të Gjilanit për rishikimin e procedurës penale, mirëpo kjo kërkesë u refuzua si e palejuar  më 4 shtator 2015, shkruan KALLXO.com.

Parashtruesit lidhur me aktvendimin e Gjykatës së Gjilanit iu drejtuan Gjykatës së Apelit, e cila po ashtu e refuzoi ankesën më 30 dhjetor 2015.

Burim e Arsim Ramadani të pakënaqur me vendimin e Apelit çështjen e dërguan në Gjykatën Supreme të Kosovës me arsyetimin se gjykatat “ kanë injoruar çështjen e alibisë së të dënuarve në të cilin drejtim janë prezantuar provat konkrete”.

Në një linjë me gjykatat e instancave më të ulëta, edhe Gjykata Suprem e Kosovës refuzoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë më 10 shkurt 2016.

Duke ndjekur të gjitha rrugët juridike, Burim e Arsim Ramadani përmes avokates Vahide Braha, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese të Kosovës duke pretenduar se gjykatat e rregullta nuk e kanë lejuar ekspertizën e sërishme të të dhënave të telefonave celularë, nuk kanë pranuar si  prova të reja deklaratat e dëshmitarëve të dhëna nën betim para noterit, nuk i kanë shqyrtuar provat në lidhje me alibinë e parashtruesve dhe kanë aplikuar ligjin e gabuar me rastin e shqiptimit të dënimit.

Kësisoj, parashtruesit e kërkesës pretendonin se është shkelur e drejta e tyre për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm e përcaktuar me nenin 6 të Konventës uvropiane të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut dhe nenit 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Duke shqyrtuar kërkesën, Gjykata Kushtetuese ka gjetur se parashtruesit kishin dorëzuar një kërkesë në Kushtetuese me numrin KI81/11 duke pretenduar se gjykatat e rregullta u kishin shkelur të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe kjo kërkesë ishte refuzuar më 15 maj 2012 si e papranueshme sepse ishte qartazi e pabazuar në baza kushtetuese.

Më tej, Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj  konsideron se  procedurat lidhur me kërkesën e parashtruesve për rishikim të procedurës nuk kanë të bëjnë me vendosje për një akuzë penale në kuptim të nenit 31 të Kushtetutës ose nenit 6 të KEDNJ-së.

Rrjedhimisht, Kushtetuesja e refuzoi si të papranueshme kërkesën e Burim e Arsim Ramadanit.

Burim e Arsim Ramadani dhe Arben, Blerim e Jeton Kiqina ishin shpallur fajtorë nga Gjykata e Qarkut dhe ajo Supreme për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Hajra  në vitin 2001.

Rasti “Kiqina” njihet si një ndër lëndët gjyqësore penale më të gjata në Kosovë – me 107 shqyrtime gjyqësore vetëm sa gjykohej në Gjykatën e Qarkut në Gjilan.

Rasti ka kaluar nëpër të gjitha shkallët e të gjitha gjykatave të vendit, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.

Më 20 gusht 2001, Hamëz Hajra, bashkëshortja e tij Miradija, i biri Xhevdeti dhe vajzat Mimoza dhe Adelina kishin mbetur të vrarë në një rrugë në mes të fshatit Baicë dhe Tërstenik në Komunën e Drenasit, gjersa po ktheheshin nga një dasmë në shtëpinë e tyre në Gllogovc (Drenas), thuhet në aktgjykim.

Të dënuarit e këtij rasti vazhdimit kanë proklamuar pafajësinë e tyre duke pretenduar se rasti ndaj tyre ishte i montuar.