Protesta e SKV-së | Foto: KALLXO.com

Gjykata Vendos për Gjashtë të Arrestuarit e SKV-së

KALLXO.com merr vesh se Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar paraburgimin prej një muaji gjashtë të arrestuarve të Organizatës Studentore për Barazi  “Studim, Veprim, Kritikë”.

Gjashtë anëtarët e SKV-së ishin arrestuar në natën mes të enjtes dhe të premtes në parkun e qytetit në Prishtinë ku organizata po festonte tetëvjetorin e themelimit.

Anëtarë të SKV-së protestuan dje para Stacionit Policor “Qendra” në Prishtinë, duke kërkuar lirimin e të arrestuarve.

Policia njoftoi dje se ka intervenuar në park pas ankesave të qytetarëcve se të tubuarit atje po prishin rendin e qetësinë publike dhe po përdorin narkotikë e alkool.

Anëtarët e SKV-së po dje mohuan përdorimin e gjësendeve të paligjshme, ndërsa policia tha se ka gjetur në vend të ngjarjes gjësende të tilla.

Policia dhe SKV-ja patën deklarata të kundërta edhe sa i përket lejes për festën e tetëvjetorit.

Policia tregoi se nuk ishte e njoftuar për aktivitetet e parmbrëmshme të SKV-së, ndërsa SKV-ja tha se e ka raportuar tubimin në park.