Ilustrim: Poqi elektrik

Gjykata Vendos për Faturimin e Rrymës në Veri

Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore të Prishtinës e ka pezulluar ekzekutimin e vendimit të ZRRE-së sipas të cilit shpenzimet e energjisë elektrike të qytetarëve të komunave veriore të Kosovës, u faturoheshin konsumatorëve të tjerë.

Duke vepruar sipas padisë  së Avokatit të Popullit, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi të pezullojë ekzekutimin e vendimit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji V_399_2012, të datës 06 shkurt  2012 deri në vendosjen përfundimtare të çështjes nga gjykata, bëhet e ditur në një njoftim të publikuar për media nga Avokati i Popullit.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka gjetur se vazhdimi i ekzekutimit të vendimit të Bordit të ZRRE-së do të shkaktonte një dëm që do të ishte i pariparueshëm, andaj duke u bazuar në dispozitat e Ligjit për Konflikt Administrativ ka pezulluar ekzekutimin e këtij vendimi.

Zyra e Avokatit të Popullit sipas detyrës zyrtare kishte iniciuar hetimet lidhur me faturimin e paligjshëm të energjisë elektrike të shpenzuar në veri qytetarëve të pjesës tjetër të Kosovës.

Avokati i Popullit kishte gjetur se rreth 5.24 për qind e kërkesës për energji, apo rreth 8 milionë euro ishin shpenzuar nga komunat në veri të Kosovës kryesisht të banuara me shumicë serbe, ndërsa shpenzimet e kësaj energjie i ishin faturuar pjesës tjetër të qytetarëve të Kosovës.

Lidhur me këtë çështje Avokati i Popullit kishte dërguar pyetje në ZRRE nga të cilët kishte pranuar përgjigje se vendimi i atakuar përcakton nivelin e reduktimit të humbjeve të energjisë në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe komunat në veri.

Raporti i Avokatit të Popullit citon se nga përgjigjet që ka pranuar nga ZRRE-ja u është thënë se rryma e shpenzuar në veri të Kosovës konsiderohet si humbje komerciale dhe se ka qenë e domosdoshme që kjo humbje të mbulohet duke ua faturuar qytetarëve në mbarë territorin e Kosovës në pamundësi për t’u faturuar shpenzimi i energjisë në veri.

Lidhur me të gjitha të gjeturat e Avokatit të Popullit u ishin adresuar rekomandime ZRRE-së, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Avokati i Popullit institucioneve relevante u kishte rekomanduar që urgjentisht të ndërpritet praktika e paligjshme e energjisë elektrike të shpenzuar në veri dhe që Qeveria e Kosovës, ZRRE-ja dhe KEDS-i të gjejnë mënyra alternative të faturimit, duke mos shkelur të drejtat e qytetarëve të Kosovës.

Lidhur me këto pretendime Avokati i Popullit ka paraqitur padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës e cila do të trajtojë këtë çështje.

KALLXO.com ka shkruar për mospagesën e energjisë elektrike nga banorët e veriut.

Veriu do të Vazhdojë të Furnizohet Falas me Rrymë